Kreu i Konfederatës së Sindikatave në Shqipëri, Kol Nikolla e ka cilësuar si gabim bashkëpunimin e PD-së me LSI-në për protestën e 27 janarit.
Reagim i kreut te KSSH:
Një nga gabimet e Partisë Demokratike që e çoi atë në opozitë në vitin 2013 ishte pikërisht aleanca me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Demokratët më integritet nuk e kapërdinë dot këtë kalim ylberi dhe vendosën të mos mbështesin këtë forcë politike madje as denjuan të dalin në zgjedhje.
LSI pasi e rropi qeverinë faturën ia la Partisë Demokratike, sakaq shijoi frytet e pushtetit edhe për katër vite, derisa shqiptarët vendosën ta nxirrnin nga tepsia dhe t’ia besonin këtë të fundit Edi Ramës.
Arsyet për të protestuar në këtë vend janë të panumërta, ndërsa Partia Demokratike si forca më e madhe opozitare duhej ti prijë me dinjitet këtyre protestave.
Nëse PD vendos në ballë të protestave drejtuesit e LSI që ende nuk e kanë ndarë mendjen janë në opozitë apo janë në pushtet atëherë protesta është e destinuar të dështojë.
Nuk e kuptoj se si demokratët do dalin në protestë, ndërkohë që “aleati i saj i madh” votoi në të gjitha njësitë vendore të majta buxhetet, përfshijmë këtu edhe Tiranën.
Un nuk e konceptoj dot demokratin fisnik të Tropojës, Shkodrës, Mirditës, Durrësit, Elbasanit Vlorës, Korçës a Gjirokastrës, ti thuash hajdeni në protestë kur në ballë të saj ai do të shohë, Monika Kryemadhin, Petrit Vasilin, dhe të tjerë zyrtare që thua s’janë ata që për 8 vite ngrohën karriget e pushtetit dhe llogaritë e tyre bankare.
Partia Socialiste po qeveris me arrogancë dhe protestat janë një mjet paqësor për ti treguar se ky vend nuk është pronë e tyre, por nëse protestat udhëhiqen nga njerëz që administratën shtetërore e çuan për skrap, atëherë edhe opozita rrezikon të njëjtin fat si administrata dhe protestat s’ do jenë asgjë tjetër veçse një flluskë sapuni. /Lexo.al/