Gazeta Express ka mësuar se ish-Kryeministri nuk është ne rrezik jete, mirëpo, për shkak te trajtimit me vonesë të gripit, gjendja shëndetësore i është komplikuar seriozisht. Ai nuk është në gjendje të lëvizë, ndërsa për t’u rehabilituar plotësisht duhet të kalojnë muaj të tërë. Gazeta Express mëson se mjekët dyshojnë se Kryetari i LDK’së është prekur nga sindoroma “Guillain-Barré syndrome”. Trajtimi i kësaj sëmundjeje, për njerëzit që nuk kanë aktivitet të fortë fizik, apo për ata të cilët janë më në moshë, është shumë i vështirë dhe sëmundja mund të lë pasoja.
Ish-Kryeministri Isa Mustafa ka një javë që është shtrirë në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Pak informacion është dhënë nga partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe nga familja për shëndetin e Mustafës, pos që përmes një komunikate është kumtuar se ai është shtrirë në spital si pasojë e gripit.
Megjithatë, gjendja shëndetësore e Liderit opozitar është pak më serioze – sesa një grip i zakonshëm sezonal.
Gazeta Express merr vesh se gjendja shëndetësore e Kryetarit të LDK’së është përkeqësuar së fundmi.
“Ai nuk është në gjendje të lëvizë”, i kanë thënë Expressit të dielën burime të afërta me familjen Mustafa, në kushte anonimiteti.
Lideri aktual i LDK’së ka mbajtur pozita të lartë në Krahinën e Kosovës në atë që quhej “Shteti i Përbashkët Jugosllav” para viteve te 90’ta. Pastaj është bërë pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Bujar Bukoshit në ekzil. Pas luftës, ka mbajtur pozita në udhëheqjen e institucioneve publike si në Bordin e UP’së. Një kohë ka shërbyer si Këshilltar i Fatmir Sejdiut për t’u bërë pastaj kryetar i Prishtinës deri më 2013. Më 2009 ka marrë pozitën e Kryetarit të LDK’së. Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e Kryeministrit, Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit.