Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, thotë se nëse ai do të vendoste të jepte dorëheqje nga pozita që ka në parti, siç kanë bërë disa fytyra të njohura të partisë, do të largohej edhe nga mandati i deputetit.
Sipas tij, dorëheqjet e deritashme nga anëtarët e kryesisë së VV-së nuk i kanë bërë mirë partisë.
“Kemi pasur një kryetar për të cilin s’kam një vërejtje për udhëheqjen e tij. Ka udhëhequr siç ka udhëhequr dhe më vjen keq që ka dhënë dorëheqje, që unë personalisht s’do t’ia preferoja sepse është dashur t’i shkonte deri në fund të mandatit. Asnjë dorëheqje nuk i ka ndihmuar dhe nuk i ndihmon Vetëvendosjes.
Asnjë dorëheqje nuk e ka ndihmuar VV-në. Të gjithë janë anëtarë. Përderisa janë pjesë e partisë nuk mendoj se me dorëheqjet e tyre nga pozitat udhëheqëse i kanë ndihmuar partisë”, ka thënë ai.
“Nëse do të vendosja unë të largohesha nga pozita në parti do të jepja dorëheqje prej deputetit”. Në Interaktiv të KTV-së, Selimi ka deklaruar se kërkesa e ish-sekretarit organizativ, Dardan Molliqaj, që Albin Kurti të mos kandidonte për kryetar të partisë ishte e padrejtë. (b.an)