Është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme në moshën 63-vjeçare, mjeshtri i valles shqiptare, një nga emrat më të njohur të këtij zhanri të artit Rexhep Çeliku. Ai ishte solist i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve.
Rexhep Çeliku u nda nga jeta sot në orën 02:30 të mëngjesit pas një lufte të gjatë me sëmundjen.
Vetëm katër ditë më parë ai pati edhe shfaqjen e fundit në publik, ku Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordoi zotit Rexhep Çeliku Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.
Rexhep Çeliku, lindi më 19 korrik 1954 në Tirane, dhe që nga viti 1976 ishte solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ai numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.
Rexhep Çeliku ishte nderuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”./a.ç