Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin ka zhvilluar një takim me Kryeprokuroren Arta Marku, në zyrën e kësaj të fundit. Takimi nisi në orën 16:00 dhe zgjati rreth 50 minuta.
Ky është takimi i parë i Kryeprokurores Marku me ambasadoren Vlahutin pas marrjes së detyrës. Ambasadorja e BE nuk është prononcuar për mediat pas takimit, por mësohet se në fokus të bisedës ka qenë Vettingu në Prokurori dhe hetimi i dosjeve të nxehta.
Romana Vlahutin rikthehet në Prokurorinë e Përgjithshme pas rreth tre vitesh për shkak të përplasjeve me ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla. Ndonëse e vetmja marrëdhënie e ndërlikuar e Llallës e njohur edhe publikisht ka qenë ajo me ambasadorin e SHBA Donald, pasi ky e fundit e akuzoi atë se nuk hetoi asnjë zyrtar për korrupsion gjatë gjithë mandatit të tij si titullar i organit të akuzës.
Që pas marrjes së detyrës së re, Arta Marku ka zhvilluar disa takime me ambasadorët e akredituar në Tiranë. I pari që takoi kryeprokuroren ishte ambasadori i SHBA, Donald Lu, ndërsa më pas ishin përfaqësuesit e vendeve të BE. SHBA dhe BE vijojnë mbështetjen për institucionet e drejtësisë shqiptare për zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë.
a.ç