Opozita shqiptare ka hedhur poshtë opsionin e bojkotit të Kuvendit dhe propozimin e Sali Berishës për djegien e mandateve, ndërsa ka vendosur radikalizmin dhe ekstremizimin e veprimit opozitar brenda institucionit të Kuvendit, në frymën e seancës së fundit plenare, ku u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme, mes përleshjeve dhe tymit. Pas konsultave me krerët e partive aleate, përfshirë edhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, kreu i opozitës Lulzim Basha, ka mbledhur dje grupit parlament demokrat dhe krerët e degëve të PD, për të zyrtarizuar aksionin e ri politik.
Gjatë mbledhjeve është vendosur që, protesta e parë të zhvillohet në datën 27 janar, para Kryeministrisë. Gjithashtu është vendosur që vala e protestave të shoqërohet me pjesëmarrjen e opozitës në Parlament, me qëllim për të pamundësuar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit. Gjatë diskutimeve është vendosur që grupi parlamentar demokrat të marrë pjesë që në seancën e parë për këtë vit, konkretisht ditën e hënë ora 17:00.
Në përfundim të shqyrtimit të propozimeve, versioneve dhe diskutimeve, grupi parlamentar demokrat ka vendosur që, pas zgjedhjes, sipas PD, të paligjshme të kryeprokurores së përkohshme, në Parlamentin Shqiptar të mos ketë normalitet. Opozita do të synojë paralizimin e jetës parlamentare, por ende nuk dihen modalitetet dhe mjetet për të arritur këtë objektiv politik. Sipas burimeve, linja radikale në PD ka propozuar që Parlamenti të bllokohet më çdo kusht dhe çdo mjet.
Synimi konsiston në detyrimin e mazhorancës që të anulojë zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme dhe krijimin e një qeveria anti-mafia. Ndërkaq, për shkak të dhunës brenda dhe jashtë seancës së fundit, policia ka kallëzuar penalisht 9 deputetë të opozitës, ndërsa Byroja e Kuvendit ka përjashtuar 7 deputetë të PD-LSI nga Punimet e Kuvendit. Gjithashtu, për të evituar një përsëritje të mundshme të dhunës në seancën e fundit, PS ka paralajmëruar se do të miratojë në mënyrë të njëanshme Kodin e Sjelljes së Deputetëve, ku parashikohen ndëshkime sipas shkeljeve të parashikuara.
Protesta në 27 janar
Partia Demokratike ka vendosur dje që në datë 27 janar, ora 12:00, para Kryeministrisë, do të zhvillohet protesta e parë për këtë vit kundër qeverisë ‘Rama 2’. Tashmë dy do të jenë sfidat e opozitës: Mobilizimi i sa më shumë qytetarëve për të marrë pjesë në protestën e 27 janarit si dhe fokusimi tek seancat parlamentare.
Peshën kryesore për mobilizimin e bazës dhe të qytetarëve jashtë bllokut të mbështetësve të PD, do ta kenë krerët e degëve, por edhe deputetët. Po në funksion të protestës së 27 Janarit, kryetari Lulzim Basha do të vijojë turin e takimeve me bazën, për t’u sqaruar arsyet dhe objektivat e protestës.
Basha thirrje qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi qytetarët shqiptarë t’i bashkohen protestave të opozitës për të nxjerrë vendin nga udhëkryqi dhe kriza e rëndë ku e ka futur Edi Rama me bashkëqeverisjen e tij me krimin. Në takimin me qytetarët e Kamzës, kreu i opozitës tha se nën drejtimin e Edi Ramës, Saimir Tahirit, Haki Çakos dhe pasardhësve të tyre, Policia e Shtetit u shndërrua në një repart ndihme për drogën, e cila i shpërbeu Edi Ramës për të blerë pushtetin. “Kjo është një qeveri thellësisht antipopullore.
Edhe largimi i sotëm i Haki Çakos nuk është gjë tjetër veçse plotësimi i një pakti mafioz midis tij dhe Edi Ramës. Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qenit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua t’jua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë”, tha Basha./Shqiptarja