Nga Ben Andoni
Nëse Shqipëria pret me padurim fillimin e funksionimit të Reformës në Drejtësi, pak orë më parë ka marrë një përgjigje jo aq pozitive. Për këtë ka ndihmuar naiviteti i kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. Mes shumë përgjigjeve, ajo që ka bërë përshtypje ka qenë qasja e tij me tagrin që mban si kreu i Gjykatës më të rëndësishme të vendit.
Shfajësimi në fakt e ka fajësuar paq. Citojmë:“Ka pasur ndonjë rast që edhe mua më janë drejtuar politikanë të ndryshëm, të cilët në emër të personave të përfshirë në konflikte në zonat e tyre zgjedhore, etj., më kanë kërkuar përshpejtimin e gjykimit, zgjidhjen e konfliktit apo pezullimin e ndonjë vendimi penal. Jam përpjekur t’u shpjegoj se ata nuk mund të ndërhyjnë në çështje konkrete, qoftë si persona privatë apo funksionarë shtetëror”.
Në të gjithë intervistën nuk kanë bërë aspak përshtypje konstatimet e tij të tilla se: “Edhe pas gati 30 vjet ndryshimesh, ende politika përpiqet ta trajtojë gjyqësorin apo drejtësinë në përgjithësi, si oborrin e saj”.
Ajo që njerëzit i ka shtangur ka qenë e thjeshtë dhe e thënë troç: Këtu ndërhyhet deri tek 1 i Gjykatës së Lartë dhe nuk denoncohet. Pyetja e thjeshtë: po Juve jeni nga njerëzit më të fortë në Shqipëri sa i përket pushtetit gjyqësor, pse nuk e denonconi? Dhe sërish: nëse politikanët janë aq të paditur në rastin më të mirë që të ndërhyjnë direkt dhe aq të fortë në rastin më të keq pse nuk i denonconi vallë?
Mjafton nxjerrja e tabulatit. E nuk mbaron këtu, sepse në shqyrtim mbetet dhe tagri i kryeprokurores së re. Në ligj, edhe vetë personi, që i është kërkuar të influencojë dhe nuk denoncon duhet të merret në cilësinë e personit, i cili ka dijeni për një vepër penale. Por, kjo nuk ndodh, ashtu si shumë e shumë gjëra të tjera në vendin tonë.
Prej gati katër vjetësh zoti Zaganjori është në krye të një institucioni që mund t’i jepte shumë fizionomi Shqipërisë, sa i përket Reformës së saj në Drejtësi me punën e tij por edhe vullnetin e mirë për të ndryshuar. Por ky institucion në këto 27 vjet duket se pret politikën që të bëjë hapin e parë.
Është i trishtë fakti se ku është katandisur Drejtësia shqiptare dhe akoma më i trishtë mendimi sesi ndodh që persona me të tillë tagër nuk kanë fare vullnet ndryshimi.
Në fakt akti i tij nuk çudit më askënd.
Të mjafton të shikosh performancën e institucionit të tij dhe të kuptosh se zgjidhjet e problematikave që shqiptarët i kërkojnë brenda “afatesh te arsyeshme”, i marrin pas vitesh të tërë. Në një hulumtim që bëri pak javë më parë një media online në website-in e autoritetit gjyqësor më të lartë, Gjykatës së Lartë, konstatoi se problemet e qytetareve i nënshtrohen një pritjeje të stërgjatë dhe që nuk mund të konsiderohej aspak fare “e arsyeshme”. Në më të shumën e herëve çështjet shumë shpesh shkonin deri në 3 vite pritje!!!
Kjo është fizionomia e institucionit të tij, që e ka aq të vështirë për të denoncuar politikanë por që e ka aq të lehtë për të lënë në kalendar çështjet e qytetarëve të thjeshtë që rrinë e po shikojnë funeralin e drejtësisë shqiptare, një gozhdë të së cilës e ka vendosur dhe Zaganjori. (Javanews)