Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka nderoi sot me “Medaljen e Mirënjohjes”, Atasheun Ushtarak Amerikan në largim, Kapiten i Rangut të Dytë Sam G. Wartell, i cili përfundoi mandatin e tij dy vjeçar. Në ceremoninë e posaçme ku merrte pjesë Ambasadorin i SHBA në Tiranë, Donald Lu, ministrja Xhaçka i uroi mirëseardhjen Atasheut të ri Ushtarak, Kapiten i Rangut Dytë James Hilton.
Ministrja e Mbrojtjes vlerësoi kontributin dy vjeçar të kapiten Wartell, në rritjen e mëtejshme të nivelit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin kryesor strategjik në fushën e mbrojtjes, Ministrja Xhaçka nënvizoi faktin se këto marrëdhënie tashmë kanë hyrë në një fazë të re dhe më cilësore.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes është e angazhuar në një proces modernizimi të FA, me synim rritjen dhe përmirësimin cilësor të kapaciteteve operacionale të strukturave tona ushtarake dhe veçanërisht të atyre strukturave që janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO”, tha Ministrja e Mbrojtjes.
a.ç