Sot pritet të mbahet seanca e rastit “Toka”, ku ish-deputeti dhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla do të dalë para trupit gjykues.
Ai bashkë me disa të tjerë akuzohen për tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veterrnik dhe Llapnasellë të Prishtinës.
Mbi Sylën rëndojnë akuzat për krim të organizuar, pastrim parash, marrje e mitos, keqpërdorim i detyrës zyrtare, evazion fiskal, mashtrim në detyrë, legalizim i përmbajtjes së falsifikuar dhe nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme.
Aktakuza ndaj këtyre të pandehurve përbëhen nga 46 pika që kanë të bëjnë me veprat penale për “Krim të organizuar; Pastrim i parave; Marrje të mitos; Mashtrim i rëndë; Mashtrim në detyrë; Nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme; Keqpërdorim i pozitës zyrtare; Legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe Evazion fiskal”.
Ndërkaq, në grupin e dytë, organi i akuzës ka ngritur aktakuzë ndaj 17 të pandehurve të cilët akuzohen për pastrim të parave. Sipas prokurorisë, ky grup ka qenë një grup i mirë organizuar dhe i struktura me hierarki afatgjate të cilët ja kanë marruar Kosovës pronat shoqërore.
“Ky rast ka të bëjë me një grup të organizuar kriminal të strukturuar, me hierarki të organizuar dhe afatgjatë, i cili i ka privuar Kosovës pronat shoqërore. Ky grup i organizuar kriminal, aktiv prej vitit 2006, ishte i përbërë nga shqiptarë të Kosovës dhe anëtarë serbë”, kishte bërë të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas prokurorisë, ky grup kriminal udhëhiqej nga ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla. Prokuroria pretendon se ky grup, duke funksionuar si grup i organizuar kriminal kanë bërë falsifikimin e vendime dhe dokumenteve zyrtare ku dhe kanë dëmtuar buxhetin dhe familjet serbe të Kosovës.
“Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
Palët e dëmtuara janë buxheti shtetëror i Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës të drejtat e të cilëve mbi parcelat e tokës ishin keqpërdorë nga ky grup i organizuar kriminal. Gjatë këtyre hetimeve, në fund të muajit prill 2016 është realizuar një operacion në kuadër të së cilit u bënë arrestime, bastisje dhe konfiskime të pasurisë. Udhëheqësi i pretenduar i këtij grupi, Azem Syla, ish-deputet, ishte arrestuar më 29 prill 2016 dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, njësoj si edhe dy të pandehur të tjerë. Tre të pandehur të tjerë aktualisht janë duke i vuajtur dënimet me burgim për shkak të veprimtarive kriminale të mëparshme”, kishte bërë të ditur organi i akuzës.
Ndërkaq, së bashku me Sylën pjesë e hetimeve ishte edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka. Gazeta ka provuar që të marrë ndonjë informacion rreth asaj se është ngritur aktakuzë edhe ndaj Ukës, mirëpo, avokati mbrojtës i tij, Tahir Rrecaj, ka thënë se akoma nuk kanë pranuar ndonjë njoftim nga ana e prokurorisë.
“Nën hetime kanë qenë 52 persona, ndërsa, me sa jam informuar aktakuza është ngritur vetëm ndaj 39 personave. Nuk e dimë ende se a ka ngritje të aktakuzës për Nuhi Ukën. Ne ende nuk kemi pranuar asgjë nga ana e Prokurorisë”, ka thënë Rrecaj.
Ndërsa, ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, ishte arrestuar me 29 prill, ku dhe iu kishte caktuar masa e paraburgimit.
Syla i cili vazhdon të jetë në paraburgim, në fillim të muajit shtator ishte liruar e me pas arrestuar pas ankesës së prokurorit se ai, nëpërmjet një personi tjetër ka tentuar të ndikoj të dëshmitari i dytë i mbrojtur me ç’rast, gjyqtarja e procedurës paraprake me datën shtatë tetor ia kishte caktuar Sylës masën ligjore të paraburgimit deri me 22 nëntor.
Aktvendimi i gjyqtares kishte ardhur pasi që ajo e kishte vlerësuar se ekziston një rrezik i përgjithshëm në tentimit e ndikimit të dëshmitarët e mbrojtur. Sipas gjyqtares, jo vetëm tentim, por, edhe kontaktimi i dëshmitarit nga një person i afërt me Azem Sylën përbën pengim të procedurave gjyqësore, përgatiti Koha. (b.an)