Një gjë e tillë faktohet edhe nëpërmjet një studimi të kryer nga Petër Saraçi, pedagog në Universitetin e Shkodrës dhe anëtar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Për realizimin e këtij studimi, kanë kaluar në skaner mbi 24 mijë dosje, që janë të arkivuara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, nga ku ka rezultuar se vetëm në Tiranë, detyrimi i shtetit shqiptar ndaj pronarëve është rreth 2,2 miliardë euro.
Kjo faturë do të rëndonte nëse do të aplikohej formula e aprovuar nga Gjykata e Strasburgut, sipas së cilës si referues merret zëri kadstral aktual ndërsa çmimet për metër katror që aplikohen janë ato të 2008-s. Por duke qenë se formula e vlerësimit të trojeve ka ndryshuar dhe për bazë merret origjina e pronës, atëherë fatura për pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist vetëm në qytetin e Tiranës është 208 milionë euro, pra pothuajse 10–fish më e ulët.
“Kjo diferencë është e dukshme sidomos në kryeqytet, por i njëjti konsiderim vlen edhe për qytetet kryesore të vendit. Ligji i ri për trajtimin e pronës 133/2015 ka një efekt zhvlerësues për sa i përket vlerësimit të detyrimit financiar, gjë që është qartazi jo në përputhje me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut”, vë në dukje Saraçi. RAPORTI Një hendek kaq i madh në dëm të pronarëve është vënë në pah edhe në raportin konfidencial të ATP-së që gazeta disponon.
“Nga analiza e vendimeve të kompensimit të Rrethit Tiranë rezulton se 26.3% të vendimeve rezultojnë “me ndryshim zëri kadastral” referuar nenit 6 dhe 7 të projekt/ ligjit. Këto vendime kanë qenë tokë bujqësore në momentin e shpronësimit ndërkohë që sot janë tokë truall.
Referuar vlerësimit financiar, të bërë sipas ligjit aktual dhe projekt/ligjit, rezulton se: 295 miliardë lekë është fatura e kompensimit për rrethin e Tiranës bazuar në llogaritjet e bëra me ligjin aktual, sakaq 67 miliardë lekë është fatura e kompensimit për rrethin e Tiranës bazuar në përllogaritjet e bëra sipas ligjit të ri.
Pra, vetëm nga llogaritja e ndryshimit të zërit kadastral për 902 vendime të Rrethit Tiranë ulet fatura e kompensimit me 77.6%”, thuhet në raportin e Agjencisë së Pronave.
DOSJET ME VENDIM
Një rivlerësim është kryer edhe për 24 mijë dosjet, që janë të arkivuara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave nga ku ka rezultuar se për kompensimin e tyre do të nevojiteshin rreth 4.7 miliardë euro në total.
Pra, sërish kemi të bëjmë me një shifër, që është shumë herë më e lartë nga ajo që Qeveria ka parashikuar me ligjin e ri. “Deri tani janë 40,803 kërkesa në Agjencinë e Pronave, nga të cilat 24317 janë të trajtuara nga komisioni dhe kanë të përcaktuar sipërfaqen e kthyer ose të kompensuar. Edhe pse kanë kaluar 24 vite nga dhënia e vendimeve, ende sot nuk kemi një trajtim siç duhet për to.
Vlerësimi financiar i përfituar duke aplikuar hartat e vlerës së vitit 2016, i cili është rreth 4,659,359,236 € mund të konsiderohet si vlera financiare minimale për shtetin shqiptar, për shkak diferencës me çmimet më të larta të cilat janë të reflektura në hartën e vlerës së vitit 2008″, pohon Petër Saraçi, autor i studimit.
Sipas tij duke parë këtë situatë dhe sfondin gri, që e shoqëron, zgjidhja do të ishte që kategoritë, që kanë përfituar nga ligji 7501 apo nga ligji i legalizimeve të taksohen. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohen të ardhurat e mjaftueshme për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje në përputhje edhe me direktivat e Gjykatës së Strasburgut, e cila akoma nuk e ka njohur skemën e re. /panorama