Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda zbardh arsyetimin e vendimit që lehtësoi dënimet për nëntë të akuzuarit e dosjes “Xibraka”. Në vendimin e siguruar nga “ABC News”, Apeli arsyeton se ndërhyrja e policisë në laboratorin e kokainës ishte e nxituar dhe jo efektive.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka zbardhur arsyetimin e vendimit ndaj të pandehurve të dosjes “Xibraka”, mes të cilëve edhe Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha. Ndonëse vlerësoi të provuar fajësinë e nëntë të pandehurve, ky vendim uli ndjeshëm dënimet e tyre. Apeli vendosi zbatojë nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale, i cili flet për gjykimin me kohë të shkurtuar.
Ky lloj gjykimi u kërkua nga të pandehurit dhe prokuroria në Gjykatën e Shkallës së Parë, por u refuzua. Sipas Apelit, çështja ndaj të akuzuarve si pjesë e një grupi të angazhuar në përpunimim e kokainës në një laborator në Xibrakë mund të zgjidhej në gjendjen që ndodheshin aktet e saj. Duke iu referuar vendimit të Shkallës së Parë, Apeli çmonte se duhet të riparonte këtë shkelje ligjore duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, që u njeh të pandehurve uljen e një të tretës të dënimit të dhënë. Për këtë shkak të gjithë të pandehurve iu zbrit kjo masë dënimi.Ndërsa në pjesën arsyetuese të faktit penal, Apeli i Krimeve vlerësonte si të nxituar ndërhyrjen e policisë në laboratorin e drogës.
“Ndërhyrja e policisë më 14 janar 2015 në orën 15:10 në Xibrakë ka qenë e nxituar dhe jo efektive, pasi në laborator nuk u gjetën materiale me të cilat bëhej ky përpunim dhe as produkti i gatshëm, por vetëm gjurmë të tyre në rroba dhe enë, siç është përshkruar në proceserbalet përkatëse të kqyrjes dhe ekspertimeve”, thuhej në vendimin e gjykatës, një kopje e të cilit u sigurua nga “ABC News”.
Më tej gjykata shprehej se bashkëpunimi mes të pandehurve kishte qenë i mirëorganizuar dhe se grupi kriminal kishte pasur një strukturë të qëndrueshme me role të ndara.
Ndërkohë, përmes një vendimarrjeje të pak ditëe më parë Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda nxori në liri të dënuarin Kelmend Dalipi. Gjykata pranoi kërkesën e tij për pezullim të ekzekutimit të dënimit për shkak të problemeve shëndetësore të tij.
I Pandehuri Shkalla I Apeli
Ermal Hoxha 10 vjet 6 vjet e 8 muaj
Genci Xhixha 13 vjet 8 vjet e 8 muaj
Sajmir Batku 13 vjet 8 vjet e 8 muaj
Ilir Hyseni 12 vjet 8 vjet
Cesar Avilla 12 vjet 8 vjet
Valter Moreno 12 vjet 8 vjet
Gentian Gjonaj 11 vjet 7 vjet e 4 muaj
Kelmend Dalipi 11 vjet 7 vjet e 4 muaj
Arjan Dalipi 10 vjet 6 vjet 8 muaj