Nandi Leshi 26 vjeç dhe Daniel Metushi 40 vjeç, të dy banues në Lushnjë, ranë në rrjetën e Policisë pasi këta të fundit kishin marrë informacione në rrugë operative nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan se në një automjet po transportohej lëndë narkotike.
Pasi kishin udhëtuar nga Lushnja në Belsh, forcat e policisë i ndaluan për kontroll, nga ku rezultoi se brenda makinës tip “Benz”, që drejtohej nga 40-vjeçari Metushi, fshihej një sasi prej 28 kg lëndësh narkotike e llojit kanabis sativa.
Menjëherë u bë bllokimi i automjetit dhe arrestimi i shoferit bashkë me pasagjerin Nandi Leshi. Më pas, Policia ushtroi kontroll në banesat e dy të ndaluarve në qytetin e Lushnjës nga ku rezultoi se, në banesën e 26- vjeçarit Leshi gjendej dhe një sasi prej 1 kg kanabis sativa.
Në bazë të hetimeve paraprake, dyshohet se dy rinjtë nga Lushnja kishin si destinacion shitjen e lëndës narkotike në Belsh, por ende nuk dihen personat që do ta blinin atë. Për këtë arsye, grupi hetimor ka marrë në pyetje të dy të arrestuarit lidhur me faktin se kush do të ishin blerësit e drogës, por nuk kanë marrë asnjë emër.
Si Metushi ashtu edhe Leshi kanë mohuar faktin se kanë qenë në Belsh me qëllim shitjen e lëndës narkotike. Për zbulimin e personave, që do të merrnin drogën, Policia po verifikon telefonat e dy të ndaluarve, në mënyrë që të kontrollohet se cilët kanë qenë personat e fundit, me të cilët ata kanë biseduar.
Shoferi i makinës tip “Benz” me targë AA 714 OP, Daniel Metushi, rezulton se është arrestuar nga Policia dhe një vit më parë. 40- vjeçari nga Lushnja u kap në dhjetor të vitit 2016 duke drejtuar automjetin në kundërvajtje duke rrezikuar jetën e kalimtarëve.
Në momentin e ndalimit nga Policia, Metushi gjithashtu ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e patrullës së përgjithshme. Ndërsa për personin tjetër që ndodhej në makinë bashkë me 40-vjeçarin, Nandi Leshi, në bazë të verifikimeve të para nuk rezulton person me precedent penal.
ma.me