Pas komenteve thumbuese kundër Donald Trump Jr., Steve Bannon duket se ka ndryshuar mendim. Ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë ka shprehur keqardhje për akuzat e ngritura ndaj të birit të presidentit amerikan, të cilin e quajti “tradhëtar” pas një takimi që Trump Jr. organizoi me një avokat rus.
Bannon nuk u ndal me kaq, teksa vlerësoi të birin e Presidentit si një “patriot dhe njeri të mirë”, ndërkohë që konfirmoi mbështetjen e tij për administratën Trump.
Akuzat e Bannon, të shkëputura nga libri “Zjarr dhe Furi” i gazetarit Michael Wolff, u pritën me kritika nga aleatë të mëparshëm politikë të tij.
Ish-kryestrategu u përpoq të sqaronte pozicionin e tij, duke deklaruar se në fakt, komentet i drejtoheshin ish-këshilltarit të fushatës së Trump, Paul Manafort, i cili ishte gjithashtu prezent në takimin mes Trump Jr. dhe përfaqësuesve rusë në qershor 2016.
Bannon, i cili që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë i është rikthyer portalit të tij mediatik Breitbart News, shtoi se i vinte keq për vonesën e përgjigjes së tij dhe që kishte tërhequr vëmendjen nga arritjet historike të Presidentit në vitin e tij të parë në detyrë.
Libri “Zjarr dhe Furi” prej nga u shkëputën këto komente, ka ngjallur debate të shumta në Shtetet e Bashkuara dhe ka çuar në një luftë fjalësh mes Presidentit Donald Trump dhe personazheve të përfshira në këtë botim të gazetarit Michael Wolff.
a.ç