Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj e ftuar në studion e Report Tv u shpreh se lirimi i drejtorit të policisë së shtetit Haki Çako ishte një lëvizje logjike që pritej. Me drejtimin e Xhafës, Felaj u shpreh se ka ndryshuar edhe lidershipi, ndërsa lëvizjet në Policinë e Shtetit po bëhen për një impuls të ri në luftën kundër krimit.
“Lëvizjet i kam parë pozitivisht, është e nevojshme kur një kuadër ka një kohë të arsyeshme në detyrë, për t’u dhënë mundësi edhe njerëzve të tjerë për të treguar aftësitë e tyre. Në ministrinë e Brendshme ka pasur disa ndryshime, që besoj në mënyrë logjike do të mbërrinin edhe te drejtori.
Ka një qasje të ndryshme, pasi edhe lidershipi i ministrisë ka ndryshuar. Na kërkohet një theks më i madh në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Kërkohej një qasje dhe impuls i ri në kuadër të hapjes së negociatave që pritet” deklaroi ajo në Report Tv.
Opozita ka paralajmëruar një protestë në ditët në vijim, që me të gjitha gjasat do të jetë në datë 27 janar. Felaj kërkon që të jetë brenda ligjit, pasi në të kundërt përgjegjësia do të jetë e opozitës. Deputetja i kërkon opozitës që të mos bllokojë hapjen e negociatave, pasi Shqipëria ndodhet shumë pranë.
“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm. Institucionet që do të merren me Vettingun janë ngritur dhe kompletuar dhe janë duke vepruar. Institucionet mbështetëse janë futur në vrullin e punës, pasi janë marrë me një numër të lartë deklaratash prokurorësh dhe gjyqtarësh.
Cdo lëvizje e opozitës shkon kundër aspiratave të vendit. Shqiptarët kanë 27 vite që presin që vendi të bëhet pjesë e BE, jemi në momente deçizive, kërkohet plotësimi i reformës në drejtësi si kush i vetëm për hapjen e bisedimeve dhe mendoni cfarë është duke bërë opozita.
E vështirë që gjasme me kauzat që kërkon të mbledhë opozita njerëzit, 1, 2 apo 3. Për ne me rëndësi është që protestat të zhvillohen brenda ligjit, kjo është përgjegjësia jonë, tjetra është e tyre”.
Protesta e fundit e opozitës para parlamentit u zhvillua pas zgjedhjes së Arta Markut, ndërsa Felaj shprehet se ajo do të qëndrojë në detyrë deri në momentin e ngritjes së KLP. “Prokurorja e përkohshme do të vijojë të ushtrojë funksionet deri kur të ngrihet KLP”
a.ç