Vazhdojnë punimet intensive në “Arenën e Kombëtares”. Impianti modern në kryeqytet ka nisur të marrë formë, mbi të gjitha prej punimeve që po kryhen në pjesën e tribunave. Pas ndërtimit të pjesës së poshtme të stadiumit, e cila do të shërbejë edhe si parking nëntokësor, puna është përqendruar te rrethimi i fushës.
Ngritja e tribunës karshi, ashtu si edhe tribuna mbrapa portave në pjesën jugore të “Arenës së Kombëtares” janë drejt përfundimit, me këto dy sektorë që kanë ecurinë më të dukshme në ndërtim.
Përsa i takon pjesëve të tjera, tribuna veriore po ecën me ritme më të ngadalta, ndërsa bie në sy fakti që punimet kanë nisur gjithashtu edhe në tribunën qëndrore, në të cilën janë vendosur skelat dhe janë ngritur themelet.
Impianti me kapacitet 22,500 vende, që do të jetë shtëpia e re e Kombëtares si dhe do të presë sfidat më të rëndësishme të futbollit shqiptar, është parashikuar të përfundojë në muajin Tetor, ndërsa ritmi i punimeve është shpresëdhënës për përmbushjen e afatit të përcaktuar. /b.d