2018 sipas një vendimi të kabinetit Rama është shpallur si viti i Skënderbeut, por përveç kësaj ky vit pritet të jetë edhe viti i Vettingut.
Kur komisioni i pavarur i kualifikimit parashikon të nise seancat degjimore për 57 gjyqtarët dhe prokurorët e parë në fillim të muajit shkurt, Komiteti Shqiptar i Helsinkit është ankuar pranë komisionerit për të drejtën e informimit për katër organet ndihmëse për procesin e vettingut.
Drejtoria e sigurimit të informacionit të klasifikuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Inspektoriati i Larte i Deklarimit të pasurive dhe Prokuroria e Përgjithshme janë paditur pranë komisionerit, i cili sipas këtij njoftimi zyrtar ka zhvilluar seancen e parë mes paleve.
Shkak i ankimimit eshte bere heshtja e këtyre katër organeve ndihmëse për të marrë përgjigjje statistikore mes të tjerash , se sa është numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që paraprakisht konsiderohen të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën dhe sa prej tyre kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë me krimin e organizuar?
Erida Skëndaj thotë se ky informacion nuk është i klasifikuar përderisa nuk kërkohen të dhëna mbi emrat konkretë të gjyqtarëve dhe prokurorëve
“Publiku duhet të informohet në mënyrë profesionale. Duke qenë se organet kryesore kanë filluar punën ne iu drejtuam organeve ndihmëse. Një pjesë e mirë e këtyre organeve iu shmangën informacionit kryesor dhe më konkretisht sa prej këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kaluar testin për pasuritë profesionalin apo për pastertinë e figurës, në vlerësimin tonë këto të dhëna duhet të jenë publike”, tha kreu i KSHH, Erida Skëndaj.
Por ku bazohet Komiteti Shqiptar i Helsinkit në këtë kërkesë?
“Ne bazohemi në ligjin e vettingut dhe në mënyrë të veçantë në ligjin për të drejtën e informimit, sepse statistika nuk përbën kufizim”, tha Skëndaj.
Aktualisht komisioni i pavarur i kualfikimit po kalon në sitë relacionet e të gjitha këtyre organeve që kanë dorëzuar të dhënat për secilin subjekt që do të kalojnë në sitë pasuritë, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale. Ndërkohë megjithë publikimin e një formulari nga ana e KPK ku ftohet edhe publiku të denoncojë, siç thonë burimet e Top Channel qytetarë të shumtë janë ankuar pranë këtij institucioni për vendime të padrejta sipas tyre. Pavarësisht pritshmërive të larta askush nuk ka denoncuar deri më tani me provë një rast kur të ketë paguar lekë, ose të tregojë të dhëna për pasuritë e njerëzve të drejtësisë. /TCH/b.d