Kur kanë kaluar 24 orë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Laç pak minuta pas ndërrimit të viteve, policia ka zbardhur ekspertizën mjeko-ligjore për 16-vjeçarin Klejdi Gjeta.
Adoleshenti kishte hipur në tarracën e shtëpisë për të hedhur fishekzjarrë, por vetëm disa minuta më pas familjarët e tij e kanë gjetur të pajetë.
Fillimisht u dyshua se adoleshenti kishte humbur jetën për shkak të goditjes nga fishekzjarrët, por më pas ka rezultuar se ka marrë një goditje me plumb në kokë.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore rezulton se mjekët kanë gjetur një plumb në kokën e 16-vjeçarit.
Plumbi do të analizohet për të parë nëse ka dale nga kallashnikovi me të cilën kanë qëlluar tre të rinjtë e arrestuar sot.
Policia thotë se të arrestuarit janë Alban Lika 25 vjeç, Ernis Lika 20 vjeç dhe Arbër Lika 18 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur 23-vjeçari me iniciale Gj.S. Në vendngjarje grupi hetimor gjeti 19 gëzhoja, kurse automjeti u gjet i braktisur prej tyre në një lavazh.
Arrestimi i tyre u bë pas publikimit të një video në rrjetet sociale ku shfaqeshin, duke qëlluar me armë zjarri në naten e ndërrimit të viteve. Të arrestuarit kanë qëlluar me breshëri automatiku në fshatin Sanxhak ku humbi jeten edhe Klajdi
“Më datë 01.01.2018 në orën 00:30, këta tre shtetas dyshohet se duke lëvizur me automjetin tip Benz kanë qëlluar me armë zjarri në Sanxhak të Kurbinit” informoi sot policia e Lezhës.
“Automjetit të cilit i kishin hequr targat kur kanë qëlluar me armë zjarri drejtohej nga Alban Lika. Në cilesinë e provës materiale u sekuestrua automjeti së bashku me targat të cilat ishin në bagazh, 19 gëzhoja dhe një fishek model 56, kalibri 7.62. mm ” informoi policia e Lezhes.
a.ç