Përpjekjet e përshpejtuara të Koresë së Veriut për të ndërtuar armë bërthamore përbën një ndër zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë në 2017, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një interviste për DPA-në, duke theksuar se ishte në pritje të zhvillimit të dialogut me Rusinë në 2018.
“Elementi i ri më i rëndësishëm gjatë 2017 krahasuar me 2016 është çështja e Koresë së Veriut, që ka rritur përpjekjet e saj për të zhvilluar armë dhe raketa bërthamore”, tha Stoltenberg.
“Vendet anëtare të NATO-s u janë përgjigjur kërcënimeve me raketa dhe armë bërthamore për dekada me radhë dhe mënyra se si e kemi bërë këtë është nëpërmjet parandalimit. Dhe kjo ka dëshmuar se përgjigja jonë ka qënë efektive”, shtoi ai.
“Por, kjo nuk është përgjigja jonë e vetme. Ne po ushtrojmë një presion maksimal ndaj Koresë së Veriut përfshirë atë politike, ekonomike dhe diplomatike. Unë e kam mbështetur rritjen e sanksioneve ekonomike ndaj Koresë së Veriut , që tani janë zbatuar në një shkallë më të lartë se më parë. Dhe rëndësia më e madhe qëndron në faktin që Kina, një fqinj, ka mbështetur vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Koresë së Veriut. Kina dhe Rusia kanë një përgjegjësi më të madhe sepse ata janë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe vende fqinje”, deklaroi Stoltenberg./b.d