Kryeprokurorja Arta Marku vijon lëvizjet në radhët e lartë drejtuese të organit të akuzës. Ajo ka larguar kreun e Prokurorisë më të rëndësishme në vend, asaj të Tiranës, Petrit Fusha, i cili ishte i komanduar prej vitesh në këtë pozicion, edhe pse dekretin presidencial e kishte Prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Në vendin e Fushës mësohet se ëhstë komanduar Dritan Rreshka.
Më herët gjatë ditës kryeprokurorja ka larguar nga detyra Drejtoren e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Rovena Gashi, e cila njihet si një prej njerëzve më të afërt me ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Vendin e saj e zë Arqile Koça ndërsa Gashi do të kryejë detyrën e prokurores së thjeshtë pranë Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
“Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku nënshkroi ndryshimin e parë në stafin drejtues të institucionit.
Duke filluar nga dita e sotme (e Premte, dt. 29.12.2017), prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça, emërohet Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, në përbërje të të cilës është edhe Sektori për “Verifikimin e integritetit të zyrtarëve…”.
Prokurorja Rovena Gashi, e cila ishte në drejtim të kësaj Drejtorie, caktohet prokurore pranë Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme”, raporton prokuroria.
Kujtojmë se Arqile Koça ishte një prej kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Pritet që në radhët drejtuese të ketë edhe largime të tjera. Një pjesë e madhe e drejtuesve të prokurorive janë komanduar nga ish-kryeprokurori, pavarësisht se dekretin presidencial e kanë pasur për tjetër detyrë.