Pasi Bashkimi Europian mori një hap të paprecedent javën e shkuar drejt bllokimit të Polonisë nga të drejtat e saj si vend anëtar, të votimit në bllok, e djathta ekstreme e Evropës shpërtheu në zemërim të parashikueshëm, duke akuzuar Brukselin për një burokraci të pafytyrë, në sjelljen e saj ndaj një shteti sovran. Kjo ishte dëshmia, shkruante gazeta e përditshme pro-qeveritare hungareze Magyar Hirlap, që Brukseli kishte për qëllim të ndëshkonte vendet që kundërshtonin rivendosjen e emigrantëve muslimanë.
Kjo nuk është e vërtetë. Komisioni Evropian kishte paralajmëruar në mënyrë të përsëritur partinë qeverisëse “Ligj dhe drejtësi” në Poloni, se përpjekjet e saj të vazhdueshme për të minuar pavarësinë e gjyqësorit ishin një sulm i papranueshëm mbi një parim themelor të Bashkimit Evropian dhe të demokracisë perëndimore. Dhe kur qeveria polake miratoi ligje këtë muaj, që politizuan emërimet gjyqësore, duke i dhënë shumicës parlamentare të dominuar nga “Ligj dhe drejtësi” të drejta mbi trupin që bën përzgjedhjet e gjyqësorit, Komisioni Europian nuk kishte asnjë mundësi, përveçse të fusë në fuqi nenin 7 të Traktatit të Bashkimit.
Artikulli 7 shpesh quhet “opsioni bërthamor” i Bashkimit Evropian, sepse është sanksioni më serioz në dispozicion. Në fakt, është më shumë një masë simbolike sesa ndëshkuese. Polonia ka tre muaj për të trajtuar shqetësimet e Komisionit dhe nëse nuk do të ketë reflektim, Bashkimi Europian do të ketë nevojë për aprovimin e të gjithë anëtarëve të tjerë, për t’i hequr Polonisë të drejtën e votës. Hungaria, për shembull, është zotuar të vërë veton ndaj çdo mase të tillë. Por thjesht hyrja formalisht në skenë e nenit 7 për herë të parë në historinë e Unionit, është një qortim i jashtëzakonshëm për qeverinë dhe drejtuesin e fuqishëm të “Ligj dhe drejtësi”, Jaroslaw Kaczynski, informon Javanews.
Që Kaczynski dhe ndjekësit e tij nuk kanë respekt për sundimin e ligjit, kjo ka qenë prej kohësh e qartë. Që nga rikthimi i partisë së tij përsëri në pushtet në vitin 2015, ai ka sulmuar çdo kundërshtim ndaj axhendës së tij nacionaliste, qoftë nga blloku europian, mediat, partitë liberale apo gjykatat, duke i konsideruar si një përmbysje e vullnetit të popullit polak.
Kjo është krizë delikate, e cila i mbetet popullit polak që ta zgjidhë. Megjithatë, një gjyqësor i pavarur nuk është vetëm bastioni i rendit demokratik në të cilin Polonia u bë pjesë, kur u fut në Bashkimin Evropian, por një kërkesë themelore për funksionimin e një tregu të vetëm europian. Mbështetja e traktateve mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian, është padiskutim brenda kompetencës së Komisionit Evropian.
Komisioni Evropian kishte të drejtë të fusë në fuqi nenin 7. Ai duhet vijojë axhendën e tij, duke i shpjeguar me forcë Kaczynskit dhe forcave të tjera nacionaliste në të gjithë Evropën, se ka linja të kuqe që nuk mund të kalohen – jo sepse Brukseli kështu dëshiron, por për hir të tyre. Një gjyqësor i pavarur është njëra ndër linjat e kuqe kryesore.
Përktheu posaçërisht për Javanews.al
Ardit Rada