Prokuroria e Përgjitshme zbardh takimin e mbajtur mes Kryeprokurores Arta Marku dhe Ministrit të Brendshëm Famir Xhafaj.
“Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku priti në një takim Ministrin e Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë realizimin e procesit të Vetingut, luftën kundër korrupsionit dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Në takimin e zhvilluar ditën e Premte, në qendër të diskutimit ishte procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë, si edhe i njëjti proces i pritshëm edhe në radhët e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Dy titullarët shprehën dakordësinë e plotë se këto procese kërkojnë një komunikim të vazhdueshëm dhe intensiv, me qëllim realizimin sa më të plotë dhe të shpejtë të pastrimit të institucioneve të sigurisë dhe të sistemit të drejtësisë nga zyrtarët me probleme në integritetin profesional dhe personal.
Në vijim të takimit, zonja Marku theksoi rëndësinë specifike që ka bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme në forcimin e sigurisë në vend, si edhe në pëmbushjen e prioriteteve të vendit për integrimin në Bashkimin Europian.
Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për koordinimin ndërinstucional, me qëllim zhvillimin me sukses të hetimeve të rëndësishme, si edhe të çdo procedimi penal me impakt të lartë shoqëror.
Ministri i Brendshëm, Xhafaj garantoi se institucioni që ai drejton, si edhe Policia e Shtetit, do të vijojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për rritjen e hetimeve proaktive, ku prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit.
***
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj takon Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku.
Takimi vjen vetëm disa ditë pasi Marku u zgjodh nga parlamenti në këtë detyrë, nën kontestimet e ashpra të mazhorancës.
Më herët mazhoranca ka shprehur vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me organin e prokurorisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë mendohet të jetë edhe fokusi i takimit mes dy zyrtarëve të lartë.
Kjo ka qenë një periudhë takimesh për Kryeprokuroren e cila dje priti kreunb e SHISH si dhe ambasadoren gjermane. Javën e shkuar në zyrën e Markut shkoi ambasadori amerikan DOnald Lu.
Përfaqësuesit e SHBA-BE i kanë shprehur mbështetje Markut në luftën kundër krimit. Pritshmëria e partnerëve është goditja e “peshqve të mëdhenj”.
/a.m.