Kohëve të fundit është ngritur si problematikë prokurimi që kanë kryer institucionet me objekt dreka apo darka festive të stafit me rastin e festave te fundvitit.
Edhe pse pjesa më e madhe e atyre që kanë dashur të zhvillojnë një aktivitet të tillë tashme e kanë mbyllur procedurën, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik kanë kërkuar që insitucionet të ndalojnë këto procedura.
Në të kundërt sikurse bëhet me dije në reagimin e shkurtë të dy institucioneve drejtoritë e Thesarit nuk do ekzekutojnë pagesat.
Reagimi i plotë i APP dhe Financave
Njoftim për të gjithë Autoritetet Kontraktore
Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim “APP”) ka konstatuar se, kohët e fundit autoritetet kontraktore kanë shpallur dhe zhvilluar në Sistemin e Prokurimit Elektronik procedura prokurimi me vlerë të vogël, të cilat kanë si objekt dreka apo darka festive.
Nisur nga qëllimi i ligjit nr. 9643/2006 “Për Prokurimin Publik”, por edhe i Ligjit nr. 10296/2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të cilët synojnë mirëpërdorim të fondeve publike, APP dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që të mos shpallin procedura të tilla prokurimi.
Gjithashtu, bëjmë me dije se Drejtoritë e Thesarit do të bllokojnë ekzekutimin e pagesave për objekte të tilla prokurimi. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Prokurimit Publik