Pas vazhdimit të paraburgimit edhe për një muaj ndaj Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media.Ajo ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre duke thënë se një zgjatje e tillë e rëndon padrejtësinë dhe persekutimin politik që po i bëhet Vetëvendosjes, transmeton Koha.net.
Sipas Vetëvendosjes arsyeja e gjyqtarit Kalludra për t’iu vazhduar paraburgimin ishte se, “Albin Kurti dhe Donika Kadaj ‘nuk janë hasur asnjëherë në vendbanimet apo vendqëndrimet e tyre’ dhe se ‘të njëjtit janë fshehur’ për t’iu shmangur organeve”.
“Deputetëve Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi u zgjatet paraburgimi duke e rënduar padrejtësinë dhe persekutimin politik ndaj tyre dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ditën e djeshme, gjyqtari Beqir Kalludra ka zgjatur sërish afatin e mbajtjes në paraburgim për deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi deri në datën 27 janar 2017. Gjyqtari Kalludra është kthyer tashmë në personin kyç të sistemit të kapur të drejtësisë që regjimi në Kosovë ka vendosur në përndjekje të aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky vendim i radhës i gjyqtarit Kalludra sërish është jo vetëm i pabazë por edhe i ngritur mbi mashtrimin”, thuhet në komunikatë.
VV shton se, “në vendimin për ta zgjatur afatin e paraburgimit për dy deputetët, Gjyqtari Kalludra ka mashtruar duke thënë se Albin Kurti dhe Donika Kadaj “nuk janë hasur asnjëherë në vendbanimet apo vendqëndrimet e tyre” dhe se “të njëjtit janë fshehur” për t’iu shmangur organeve. I kujtojmë Gjyqtarit Kalludra dhe mbarë opinionit publik se dy deputetët jo vetëm janë gjetur në shtëpitë e tyre në vizitat që policia ka bërë në vendbanimet e dy deputetëve, por për më tepër edhe janë arrestuar duke ushtruar detyrën e tyre si përfaqësues të popullit.
Përkatësisht, Albin Kurti është arrestuar nga Policia e Kosovës para Kuvendit të Republikës së Kosovës duke vajtur për të marrë pjesë në seancë plenare”.Lëvizja Vetëvendosje bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të deputetëve Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupit nga paraburgimi, dhe kërkon “ndaljen e këtij persekutimi politik që regjimi në Kosovë vazhdon të ushtrojë ndaj deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje”. (b.an)