Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve heqjen e mandatit të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për deputetin e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi dhe deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledjon Rehovica.
Deputeti i PDIU-së për Qarkun e Elbasanit ka deklaruar në formularin e tij, sipas ligjit të dekriminalizimit, se nuk është dënuar asnjëherë brenda dhe jashtë vendit.
Por Prokuroria e Përgjithshme disponon një dokument zyrtar nga Interpoli Roma në Itali, ku rezulton se deputeti i PDIU është arrestuar për vjedhje në vitin 1998, shkruan “Panorama”.
Në databazën e Interpolit të Romës nuk figuron emri i deputetit Aqif Rakipi, por rezultojnë shenjat e gishtërinjve të tij, të cilat janë skeduar për veprën penale të “vjedhjes”. Asokohe, Aqif Rakipi ka përdorur identitet të rremë, për këtë arsye emri i tij nuk rezulton në arkivat e të dënuarve në shtetin italian.
Në kuadër të ligjit të “Dekriminalizimit” deputetët e Kuvendit, të cilët iu nënshtruan hetimit të thelluar, kanë dhënë shenjat e gishtërinjve pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Nga bashkëpunimi me Interpolin ka rezultuar se deputeti i PDIU-së nuk ka deklaruar të vërtetën në formularin zyrtar, të dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Deputeti i PDIU-së ka deklaruar në formularin e tij se prindërit e tij kanë ndërruar gjeneralitetet, ndërsa ai jo. Babai i deputetit ka përdorur me parë emrin “Karaman”, ndërkohë që tani e ka korrigjuar në “Karahman”.
Kurse nëna e Aqif Rakipit ka përdorur më parë emrin “Violeta” dhe e ka ndryshuar atë në “Nurije”. Aqif Rakipi ka deklaruar dhe se ka jetuar për 6 vjet në Itali për arsye emigrimi. Në formular thuhet se deputeti ka jetuar në Milano të Italisë nga viti 1993 deri në viti 1999 në periudha të ndryshme.
DEPUTETI I LSI-SË
Edhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim të qytetit të Beratit, Gledjon Rehovica, figuron të jetë i ndaluar në Itali për veprën penale të “vjedhjes”. Rehovica, sipas Prokurorisë, ka tentuar të fshehë dënimin që ka në shtetin italian, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Deputet i LSI-së, i dyti në qarkun e Beratit, ashtu si deputeti Rakipi, ka përdorur identitet të rremë kur ka kryer veprën penale në Itali.
Por edhe Rehovica, sipas Prokurorisë, është zbuluar nga verifikimi i thelluar me shenjat e gishtërinjve. Deputeti i LSI-së rezulton të jetë i skeduar në Itali, por me një identitet tjetër nga ai, që përdor në Shqipëri dhe më të cilin ka fituar dy mandate deputeti në Parlament.
Deputeti i LSI-së ka deklaruar se ka jetuar në Itali në qytetin e Romës për arsye studimi. Rehovica ka deklaruar se ka jetuar nga viti 1996 deri në vitin 2001 në Kampusin Universitar të Romës.
SHKRESA
Shkresën e Prokurorisë e ka konfirmuar për “Panorama”, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Ai tha se nuk ishte njohur me shkresën personalisht, pasi ajo ishte depozituar pranë protokollit të KQZ-së nga Prokuroria në orën 16:00 të ditës së martë.
Nga informacionet paraprake, Zguri tha se për të dy deputetët Prokuroria ka kërkuar të zbatohet dispozita ndaluese e ushtrimit të detyrës. “Diapozitivi i shkresave të Prokurorisë thuhet për të dy deputetët, Rakipi dhe Rehovica se janë në kushtet e ndalimit sipas ‘Ligjit të dekriminalizimit’”, tha dje Klement Zguri./Panorama/a.m.