Një marrëveshje “e zgjuar” për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian (Brexit) mund të shërbejë si model për marrëdhëniet e ardhshme të BE-së me shtetet e tjera jo anëtare, tha ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. Turqia dhe Ukraina janë dy shtete që mund të përfitojnë nga shablloni, tha ai për grupin e mediave gjermane, Funke.
Gabriel tha se nuk e sheh në të ardhme të afërt anëtarësimin e Turqisë apo të Ukrainës në bllok, andaj, sipas tij, duhen forma alternative të bashkëpunimit më të ngushtë.Marrëdhënia e ardhshme e Britanisë me BE-në, e cila duhet të largohet nga blloku në mars të vitit 2019, vazhdon të negociohet.
Këtë muaj, dy palët janë pajtuar për tri çështje të “divorcit”: sa i detyrohet Britania BE-së, çfarë ndodh me kufirin e Irlandës Veriore dhe çfarë ndodh me shtetasit britanikë që jetojnë në BE dhe anasjelltas.Në qershor të 2016-ës, Britania ka votuar në një referendum për dalje nga BE-ja, pas më shumë se katër dekadash anëtarësi, përgatiti Koha. (b.an)