KRAVATË f. sh.
Rrip pëlhure (mëndafshi, leshi, pambuku, najloni etj.), i gjatë e i ngushtë, që e lidhin burrat si nyjë rreth qafës nën jakën e këmishës dhe e lëshojnë përpara mbi gjoks. Kravatë e hollë (e trashë). Kravatë e kuqe (e zezë, me vija). Nyja e kravatës. Me kostum dhe me kravatë. Lidh kravatën.
Nga Enver Robelli
Në Prishtinë u mblodhën rreth 300 kravata për kryeministrin e Kosovës, i cili duke arsyetuar dyfishimin e rrogës së tij tha se s’mund të dilte dosido në opinion, sepse i duheshin pak para për kravata, këmisha e kostume. Në Gjermani trendi po shkon në drejtim të kundërt. Gazeta «Süddeutsche Zeitung» gjatë ditëve të Kërshëndellave botoi një shkrim mbi zhdukjen e kravatës. Gjithnjë e më shumë biznesmenë po shfaqen në opinion pa kravatë. Fjalimet pa kravatë sinjalizojnë dinamikë dhe freski rinore.
Gazeta përmend dy biznesmenë të rëndësishëm: Joe Kaeser nga Siemensi dhe Dieter Zetsche nga Daimler (prodhues i Mercedesit), të cilët shpesh nuk bartin kravatë. Njëjtë po veprojnë edhe shefi i artikujve sportivë Adidas, shefi i firmës së ilaçeve Roche, shefi i Nestlé. Kravata, thotë një eksperte e modës, simbolizon diçka statike. Një menaxher i mirë duhet të përçojë mesazhin e kundërt: të jetë dinamik ose – thënë shqip – i shkathtë, i zhdërvjelltë, i gjallë.
Kryeministri i Kosovës duket se nuk ecën me trendin e kohës. Thotë se rrogën e tij e ka dyfishuar edhe për të blerë kravata. Kravata si simbol i katastrofës sonë jo vetëm politike? Po. Pa dyshim. Me kravatë kryeministri i ka thënë këto marrëzi: «Veç mu ka tekë me ua falë borxhin e ujit bizneseve», «E kam shkarku unë a? S’po m’kujtohet hiç» (duke folur për shkarkimin e bordit të KOSTT-it), «Ministër i zoti është ai që i jep punë zëvendësministrit», «Te Haradinajt dhëndurët e qesin plehun». Kujdes: kravata nuk është garanci se nuk do të rrëshqisni në humnera gjuhësore. Shih shembujt e mësipërm!
Kravata ekziston qe së paku 400 vjet. Dikur ka qenë pjesë e uniformës që e bartnin ushtarët kroatë. «À la cravate» – sipas mënyrës kroate thoshin francezët. Në shekullin e 20-të kravata hyri në zyra – si shenjë e dallimit nga klasa punëtore. Për këtë shkak në Zvicër ka politikanë socialdemokratë që për arsye ideologjike refuzojnë të bartin kravatë. Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës është bërë lajm në mediat ndërkombëtare. Duhet të jesh gjeni që për disa kravata papritmas të bëhesh lajm në gazetën globale «Guardian» – ose duhet të jesh kryeministër i Kosovës!
Flasim për kravata kur në shumë lagje të Prishtinës nuk ka rrymë. (Të mos flasim për fshatra). Flasim për kravata në vendin ku politikanët, imamët dhe priftërinjtë «pajtojnë gjaqe». Mirëdita mesjetë! Flasim për kravata në vendin më të izoluar të Europës. Flasim për kravata në vendin me rrogën mesatare më të ulët në Europë. Flasim për kravata në kryeqytetin mbase më të ndotur në Europë. Flasim për kravata në vendin ku arsimtari me 40 vjet stazh pune merr më pak se 200 euro pension, ndërsa gratë e politikanëve të nivelit të lartë reklamojnë fustanet e prerë nga rrobaqepësja e krimit të organizuar. Flasim për kravata në vendin ku vdesin fëmijë për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor. Flasim për kravata në vendin ku kryeministri kalon pushtimet në Zvicër, njërin ndër vendet më të shtrenjta në botë. Pse jo? Po të shkoni në Davos do të shihni vetura me targa të Rusisë. Këta (zviceranët!) s’kanë problem të marrin edhe paratë e sundimtarëve të vendeve të vobekta. Me rëndësi: flasim për kravata, verëra të shtrenjta, këmisha me iniciale dhe marrëzi të tjera.