Elbasani është përcaktuar tashmë si starti ku Policia e Shtetit do të aplikojë projektin pilot për ristrukturimin e të gjithë policisë në nivel qarku dhe komisariati.
Kjo u bë e ditur nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në një prononcim për mediat pak minuta më parë nga qyteti i Elbasanit. Sipas tij, qëllimet e këtij ristrukturimi janë forcimi i kontrollit të territorit, marrëdhënie e re me qytetarët, shpërndarje forcash dhe kontrollesh në zonat sensitive, si dhe vetting-u për unioformat blu.
Xhafaj ka paralajmëruar bandat e njohura kriminale të Elbasanit se do të përballen me ndëshkimin e merituar. Ministri Xhafaj deklaroi se Elbasani pati këtë vit një situatë jo pozitive, e cila nuk ka marrë ende zgjidhje e duhur. Për këtë arsye, theksoi ministri, lindi nevoja për riformatimin e gjithë strukturës policore, duke vënë theksin te një ristrukturim i plotë në nivel qarku dhe në nivel komisariati.
“Jo rastësisht është lënë nisma për ristrukturimin e Policisë së Shtetit në Elbasan, që ka pasur një situatë kriminaletë rënduar dhe që ende nuk është stabilizuar sa duhet. Riorganizimi i policisë nuk është diçka që bëhet brenda orës dhe brenda ditës, por kërkon dhe ajo afatin e saj. Në Elbasan janë angazhuar disa nga ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit, të cilët po hetojnë krimet. Mbiemra të caktuar Çapaj dhe Çelaj nuk përfaqësojnë të gjithë Elbasanin. Ata dhe të tjerë do të marrin ndëshkimin e merituar“, deklaroi Xhafaj.
ma.me/ javanews.al