Nga Ilir Yzeiri
E kisha shumë të vështirë që të gjeja një titull apo të ndërtoja një tekst që të përfshinte gjithçka ndodhi në këtë fundiviti në fshatin tonë të madh. Gjithmonë kam menduar se një nga pasuritë e mëdha që ka njeriu është aftësia e tij për të vënë buzën në gaz, për të qeshur dhe ne, shqiptarët, kemi edhe një cilësi tjetër më të spikatur që është mungesa e besimit. Historiografia nacionalromantike e socializmit e ka vlerësuar shumë shpirtin gati pagan të shqiptarit që nuk zihet peng kollaj në çarkun e asnjë religjioni dhe në fakt, po ta vëresh këtë shpirt, në këta njëzetë e ca vjet tranzicion, do të shohësh se shqiptarët në tërësi nuk kanë një vend, një zot, një ideal, një institucion ku të besojnë. I vetmi shpëtim i tyre është uni dhe egoja. Ky ndërtim antropologjik i tyre shfaqet sidomos në lehtësinë me të cilën ata harrojnë. Ne jemi kombi më i çuditshëm në botë që të shkuarën tonë e fshijmë dhe jo vetëm që nuk e kujtojmë ose nuk e tregojmë, por edhe në ato raste kur, për nevoja të ditës, na duhet që të merremi me të, e sjellim në vëmendje ose për ta bërë copë pra për ta sharë e hedhur tej ose për të marrë borxh ndonjë figurë që andej dhe me anë të metaforës ta përdorim si zgjidhje për fjalorin tonë luftarak që nuk po na shqitet nga buzët.
Janë dy ngjarje që lidhen me njëra-tjetrën, çizmja e Monikës dhe metafora e Esad Toptanit në Shqipëri dhe tentativa për të zhbërë gjykatën speciale në Kosovë nga treshja Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, siç raportuan mediat nga Prishtina. Në rastin e parë, Monika dhe opozita në Tiranë, që paguhen me paratë tona, e kanë shpallur veten luftëtarë të lirisë sipas modelit luftarak të revolucionarëve. Duke i mbajtur shqiptarët për budallenj dhe fshatarë, Monika dhe Berisha e sharlatanët që u shkojnë pas janë shpallur heronj të një luftë imagjinare që e bëjnë me çizme në Kuvend dhe me bomba tymuese të kuqe jashtë Kuvendit. Unë do të pranoja që të reshtohesha në një barrikadë me revolucionaren Monika dhe me revolucionarin Sali nëse këta do të kthenin mbrapsht të gjitha pasuritë që u kanë vjedhur shqiptarëve në këta 27 vjet, nëse do të dorëzonin vilat në Gjirin e Lalësit, nëse do të hiqnin dorë nga rrogat dhe shpërblimet e majme që marrin, pra nëse do të bëheshin qytetarë normalë si ne të tjerët. Mirëpo, të shpartallosh vendin tënd në 27 vjet tranzicion siç ka bërë kjo klasë politike me Berishën, Metën e Ramën dhe të paraqitesh tani para publikut si hero dhe si revolucionar, kjo, më e pakta është të tallësh b… me këtë vend dhe më e shumta është të shfaqesh si një bandit që nuk ke asnjë lidhje me demokracinë. Vetëm në Shqipëri ndodh që revolucionarët e shpallin veten nga sallat luksoze të parlamentit dhe nga vilat qindra mijë dollarëshe që kanë ndërtuar në gjithë këta vjet. Vetëm në Shqipëri ndodh që politikanët e këtij tranzicioni nuk kujtohen se ndryshimi mes komunizmit dhe demokracisë është kuptimi për kohën. Në komunizëm, revolucionarët që zbritën nga malet, u instaluan në pushtet, ndaluan kohën dhe e shpallën veten e tyre të përjetshëm. Ndërtuan institucione që përjetësonin veprën dhe marrëzitë e tyre dhe u larguan nga politika vetëm kur u shemb sistemi. Edhe Berisha & co apo Monika & co harrojnë që përpara se të shpallin veten revolucionarë milionerë, duhet të ulin kokën dhe të na tregojnë se çfarë kanë abuzuar me këtë vend. Në çdo vend demokratik elitat ndërrohen dhe sapo ikin nga pushteti, pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në gjykata duke u mbrojtur për të gjitha akuzat që u bëhen për abuzime ose jo me pushtetin në kohën kur e kanë ushtruar atë. Ndërsa këtu te ne, sapo ikin nga pushteti, e shpallin veten revolucionarë dhe duke imituar kohën e komunistëve ndërtojnë edhe një ligjërim të pështirë me luftë e me vrasje. Reforma në Drejtësi që po iniciohet nga partnerët tanë strategjijë, SHBA-ja dhe BE-ja, në radhë të parë, ka për qëllim t’u mësojë këtyrë sharlatanëve që po na e neverisin këtë vend tash 27 vjet, se demokraci do të thotë ndërrim elitash, ligj dhe institucione të pavarura. Dhe, ajo që është më tragjikja, këta sharlatanë duhet të kujtohen se pasuria që kanë vënë, luksi ku jetojnë dhe rrogat që marrin nuk janë meritë e tyre. Shpërblehen ashtu sepse ne jemi një popull që i pranojmë t’i mbajmë në kurriz. Në atë Parlament lufta e vërtetë bëhet me fjalë dhe me logjikë. Aty fiton jo ai që shfaqet si idot revolucionar, por ai që shfaqet me qartësi mendimi dhe artikulon drejt ato nevoja që kanë shqiptarët, që respekton vendin që ka si paksicë në atë sallë dhe që nuk e shpall veten hero të një kauze që nuk ekziston. Ky model demokratik ka qenë karakteristik për qytetin në Greqinë e lashtë dhe sot shfaqet në vendet normale si forma e duhur e jetës publike. Protestat, manifestimet ndonjëherë edhe të dhunshme, i bëjnë shtresa të caktuar të popullit, por jo politikanët milionerë që për 27 vite ndërtuan vila, pallate e miliona euro pasuri. Nëse këta e shpallin veten heronj dhe na kujtojnë metaforat e luftës apo të eleminimit fizik, kjo më së shumti është një krim ordiner dhe në të gjith rastet është një larje hesapesh midis bandave. Unë nuk di që ndonjë bandit të ketë përfaqësuar ndonjë interes publik.
Ndërkaq edhe në Kosovë i njëjti mentalitet. Revolucionarët që zbritën nga malet zaptuan pushtetin, vranë kundërshtarët politikë dhe gjithnjë në stilin e qeverisjes së komunistëve të Enver Hoxhës, kanë ndaluar kohën dhe e kanë shpallur veten të përjetshëm. Ndërsa abuzimet katastrofike me pushtetin, vjedhjet, krimin, korrupsionin i quajnë si një shpërblim të merituar për lirinë që, sipas tyre, ia dhanë Kosovës.
Qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, elitat tona janë para një prove thelbësore. A do të ndahen ato nga mentaliteti i revolucionarit marksist që qeveris sipas kanunit të fshatit ? A do t’i bëjmë mjediset tona shqiptare në Shqipëri e në Kosovë mjedise qytetare, por qytetare në kutimin e polisit grek, apo do të mbetemi një fshat i madh me banditë e cuba që na përrallisin nga mëngjesi në darkë se ata na dhanë lirinë dhe ata duhet t’i mbajmë ende në kurriz sepse tani e kanë shpallur veten heronj miliarderë ? Nëse kjo nuk ndodh, atëhere : Lamtumirë qyteti im !