Nga Shpëtim Nazarko
Mallkimet e sharjet jo vetëm të opozitës, por edhe të analistëve të pavarur në votën për Jerusalemin, më kujtuan një bisedë kohë më parë me amabasadorin e Iranit, për të cilën kam shkruar edhe një herë tjetër.
Shiko – po më thoshte ambasadori, i cili me stilin e vjetër komunist thërriste çdo javë nga një drejtor gazete dhe fillonte e bënte orën politike… Fliste me një zë të zvargur sa të krijohej përshtypja se bënte vetëm detyrën…
-Nuk ju kuptojmë ju shqiptarët. Ziheni e griheni në emër të parimeve e për të shprehur simpatinë ndaj Amerikës dhe ftoheni me ne. Po mirë, a e dini ju se ne bëjmë goxha tregti me ta, importojmë e eksportojmë sa mundemi e si mundemi…
Mbeta ngushtë. Kohë më parë, një tallje analoge kisha dëgjuar nga bota ime e shahut. Shqipëria e Hoxhës në Olimpiadën e Shahut të vitit ’72 nuk luajti me Izraelin në shenjë simpatie për popullin arab.
Vetë këta të fundit luajtën kundër njëri-tjetrit. Natyrisht, Shqipërinë e përjashtuan nga Olimpiada. Fundin e kësaj shakaje të hidhur pas kësaj ngjarjeje e plotësoi trajneri i Italisë, që i tha udhëheqësit të ekipit shqiptar se edhe ata fashistë kishin qenë dhe ne bënim mirë t’ua linin takimin me ta “afrofe” e të mos loznim.
M’u desh t’i shpjegoja ambasadorit se politika e jashtme e Shqipërisë ishte ajo e një vendi tranzit, që ndërronte sipas kohës… Ajo sillej mirë me sulltanin e kohës dhe sapo e shihte që ai binte, bëhej me tjetrin sulltan… etj., etj.
Paqëndrueshmëria e kësaj politike mund të justifikohej ndoshta pikërisht për shkak edhe të pozicionit strategjik, pra tranzit të vendit.
Po kjo arsye, që duket logjike në thelb, kishte edhe një arsye tjetër akoma më të rëndësishme. Feudalët vendës e mbanin këtë politikë thjesht për arsye personale, pra për të mbajtur ekzistencën e tyre.
Kjo politikë e ndërrimit të padronëve, sipas koniunkturave, është karakteristikë e shtetit shqiptar që nga koha e Ali Pashës, Zogut, Hoxhës, Alisë apo Berishës.
Po a mund të jetë e tillë edhe sot?
Shumica e kritikës, sot mbartte në realitet praktikisht gjykimin e mësipërm. Duhet të votonim Amerikën, sepse ajo është aleati strategjik më i madh etj., etj. Thua se nuk e dinte Rama apo ministri i Jashtëm, Bushati, këtë logjikë dhe pa iu dridhur syri bënë të kundërtën.
Në favor të kujt zoti të ri, Evropës, Turqisë apo vendeve arabe?
Mund të mbash edhe linjën e të gjykuarit të LSI-së, që kryesisht nëpërmjet zonjës Kryemadhi theksoi se Rama ia kishte bërë prapë me pabesi Amerikës etj., etj.
Në fakt, është e dyta herë që Kryeministri mban një qëndrim kundërshtues ndaj Amerikës. Herën e parë ishte ajo e armëve kimike, proces që u shqërua me një zhurmë dhe spektakël më të madh sesa akti i djeshëm? Nga i buron ky guxim i marrë Ramës, që, veç të tjerave, ka marrë sot mbi vete edhe pakënaqësinë e Presidentit.
Një gjykim që mban erë ”lidhje e shkurtër” do ta justifikonte Ramën, që ka hall problemin e marrëveshjes me Evropën dhe prandaj i intereson më shumë aprovimi i saj për politikën e ndjekur sesa ajo e Amerikës. Ky gjykim duket naiv edhe për një fakt të thjeshtë. Një pjesë e vendeve edhe të Evropës vepruan ndryshe nga ne dhe po ashtu një pjesë e madhe e vendeve jashtë saj vepruan në të njëjtën mënyrë. Pikërisht kjo mënyrë votimi inspiroi pjesën më të madhe të kritikës ndaj qëndrimit të Kryeministrit.
Po a ka një mënyrë tjetër të gjykuari?
Mund t’i rikthehemi kundërshtimit të parë të Ramës, atë të rastit të armëve kimike. Jo vetëm nuk erdhën rrufe nga qielli, po vlerësimet apo marrëdhëniet ndaj Shqipërisë mbetën të mira, në mos ca më të mira se më parë. Pse ndodhi kjo?
Përtej teorive konspirative, mund të gjykosh dhe thjesht. Propozimi për vendosjen e këtyre armëve në Shqipëri erdhi nga Rusia. Ajo mori përsipër së pari t’i hiqte nga Siria këto armë për të zbutur kërcënimin e Obamës për bombardimin e Sirisë. Heqja e tyre lironte katër divizione të diktatorit sirian, i cili i mbante ato prej viteve ’80 si kërcënim kundër Izraelit.
Po a mund t’i mbante dot këto armë në depo Shqipëria, që në fakt ishte bastion më i sigurt nga pikëpamja politike e NATO-s në Ballkan?
Në pikëpmaje teorike, po; por praktikisht një vend ku mbizotëronte anarkia, jo.
Amerikanët e pranuan në parim propozimin rus, po në praktikë e dinin më mirë se ne se kjo do të thoshte se duhet t’i hyje një rreziku më të madh sesa ai i të vendosurit të tyre diku tjetër. Ç’do të thoshte që në një vend me pasiguri të tillë të shpërthente qoftë edhe një fuçi e vetme? Apo nëse i tekej jo ndonjë agjenture, po ndonjë fshatari, të kërkonte një nga nga këto fuçi për të zjerë raki, duke e vjedhur atë natën…
Mund të mos përjashtohet mundësia që amerikanët vetë të ishin në hall me propozimin rus, apo ta qanin këtë hall bashkë me qeverinë shqiptare… Kjo e fundit vendosi ta mbante mbi vete gjithë përgjegjësinë…dhe bëri atë që bëri.
Shpjegimi i gjatë i dhënë këtu mban një pikëpamje analoge edhe për rastin e djeshëm. Vetë Rama apo ministri i tij ta ketë rakorduar qëndrimin e mbajtur me vetë amerikanët. Këta të fundit mund t’i kenë ditur pak më parë rezultatet e testit që po bënin. Njohja e rezultateve nuk i jepte arsye që një nga aleatët e tyre më të mirë t’i vendoste në pozicion të vështirë jo vetëm me Evropën, por edhe me vendet arabe, apo, po të doni, edhe me Turqinë.
Ky shpjegim, që është njëri nga shumtit që mund të bëhet për çështjet, do të thotë të kundërtën e kritikës së bërë sot. Të mbash këtë pikëpamje do të thotë thjesht se amerikanët kanë te qeveria shqiptare një aleat të klasit të parë, që luan shkëlqyeshëm një pozicion të dhënë.
Çfarë kuptimi do të kishte p.sh. nëse përveç 6 vendeve pro qëndrmit amerikan do t’i shtohej edhe Shqipëria? Të interpretosh ngushtë do të thotë një shërbim i pavlefshëm referuar rezultatit final…
Të mbash pozicionin e dhënë do të thotë të jesh në rregull jo vetëm me Evropën, me vendet e tjera, por edhe me vetë Amerikën.
Ky përfundim do të vihej fort në diskutim kur luhej për një grusht votash, apo kur një votë e vetme vinte në rrezik votimin. Kur ky përfundim dihej që më parë, atëherë nuk ka kuptim të mallkosh apo të hidhesh përpjetë nga qëndrimi i qeverisë. Do të ishte më mirë të përpiqeshe të kuptoje sjelljen e këtij pozicioni sesa të merrje pozicionin që mori sot shumica e opozitës apo kritikëve të ashpër.
Shumica, dhe këtu përfshij edhe ata që mallkojnë, natyrisht që e dinë se logjika e mësipërme është normale, po nuk mund ta përdorin atë, sepse nuk fitojnë gjë në propagandë.
Ky lloj gjykimi i tipit pragmatik, në fakt, karakterizon pothuajse gjithnjë klasën tonë politike të të dy krahëve, por ajo është e detyruar të bëjë politikë apo të gjejë sa më shumë raste për të shprehur një besnikëri që nuk ka lidhje reale me çështjen që diskutohet.
Deklarata e djeshme e Ambasadës amerikane ishte brenda logjikës normale. Ajo nuk përmbante asnjë qejfmbetje, kërcënim apo diçka analoge.
Për ata që mbështesin qëndrimin e qeverisë, kjo është shumë domethënëse, apo thjesht është një gjë normale. Mund të thonë që Rama është një lojtar i mirë në politikën e jashtme, që gëzon besimin e aleatëve edhe në situata të ngatërruara.
Për mua vetë, besoj se jemi në situatë të ndryshme nga ato që kanë karakterizuar politikën e jashtme të Shqipërisë në kohërat e vjetra kur luhej për t’i bërë qejfin sulltanit të radhës, apo ndryshe, për të zgjatur ekzistencën e tyre në pushtet.
Loja e tanishme, është më e komplikuar, por edhe në një tavolinë lojtarësh, të cilët nuk janë në periudhën e Luftës së Ftohtë, por në një lloj loje ku aleatët duhet t’i shohësh në sy, apo t’i kuptosh çfarë kërkohet edhe pa folur.
Mund të mos jesh dakord me ato që u thanë më lart, por një gjë është evidente. Përpjekjet për të fituar pikë, duke treguar si në kohën e Hoxhës armikun e saj apo të Titos, apo të Stalinit të madh, janë reminishenca të të kaluarës. Shprehin vetëm kalbësinë e një klase politike, apo një mënyre të menduari, që nuk të shpie gjëkundi.