Aleanca Kosova e Re nuk do ta përkrah Hashim Thaçin, Kadri Veseli e Ramush Haradinajn që të shfuqizohet Gjykata Speciale. Sipas tyre, raportet e Kosovës me aleatët e përhershëm nuk duhet të sfidohen asnjëherë.
“E kaluara na dëshmon se çdo veprim i pakoordinuar me ta, i ka kushtuar shume vendit dhe të ardhmes sonë.Në këto momente të rëndësishme dhe në këtë situatë të ndjeshme, i ftojmë të gjithë që të tregojmë maturi dhe të jemi të përgjegjshëm, ngase është në pyetje fati i Kosovës.
AKR është e vendosur që veprimet politike dhe institucionale t`i ndërmerr gjithmonë në funksion të interesit të shtetit dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe BE-në:, thuhet në njoftimin e tyre.
AKR thekson se paralajmërimet e SHBA-ve që lëvizjet e fundit politike rreth shfuqizimit të dhomave të specializuara, janë thika pas shpine për aleatin tonë historik, duhet të trajtohen seriozisht në funksion të një të ardhme të sigurt për shtetin dhe shoqërinë tonë.
“Në të kundërt mund të rrezikojmë të humbim gjithçka që kemi investuar në ndërtimin e shtetit tonë.Lufta jonë për liri ka qenë e pastër dhe ne nuk i frikësohemi askujt, prandaj jemi të bindur se edhe kjo Gjykatë do ta dëshmojë pastërtinë dhe misionin liridashës të kësaj lufte”, kanë thënë ata, përgatiti Express. (b.an)