Presidenti shqiptar Ilir Meta i ka shprehur sot keqardhjen e tij presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me votën e djeshme të Shqipërisë në në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Në një letër dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku fillimisht e falenderon për urimet e dërguara prej tij me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë, zoti Meta shkruan se “vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-ve në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”.
Presidenti shqiptar bën më tej të ditur në letrën e tij se “do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të Qeverisë, që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesave tona kombëtare”.
Edhe më herët gjatë ditës, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, presidenti Meta kishte theksuar ndër të tjera se “ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”.
Ministria shqiptare për Europën dhe Politikën e Jashtme sqaroi mbrëmë, përmes një deklarate, pozicionin e mbajtur në OKB. “Vota jonë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë cështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, shpjegon deklarata.
Por sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha “Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite, një qëndrim të rreshtuar krah qëndrimit amerikan për cështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me shumicën e vendeve të BE-së”, theksoi mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”, në Tv Klan. Sipas zotit Basha, Shqipëria ka mbajtur “një qëndrim i gabuar. Kjo çështje ka të bëjë me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, të cilat deri sot janë shërbyer vetëm nga një aleat strategjik që janë SHBA-të, pa të cilët nuk do ishim anëtarë të Natos dhe Kosova nuk do ishte e pavaruar”, tha zoti Basha. “Nga ana tjetër – shpjegoi ai – ne kemi një tjetër interes strategjik, atë të anëtarësimit në BE. Por përsa kohë BE-ja nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme, nuk kishte arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrimin dhe të mos i qëndronte pozicionit amerikan. Jo për mënyrën se si duhet të zgjidhet çështja, por për hir të interesit kombëtar”, nënvizoi zoti Basha.
Në përgjigje të kritikave, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati përmes një statusi në Facebook, reagoi sot duke u shprehur se “në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”
“Shqipëria – shkruan më tej zoti Bushati – ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në tërësi, dhe në veçanti pro rezolutës specifike që trajton çështjen e vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshi Jeruzalemin Lindor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së”.
Armand Mero
Zeri i Amerikes