Mediat raportuan se i riu shqiptar që u masakrua në një burg në Marsejë të Francës ka ndërruar jetë, pasi i janë hequr aparaturat, por të afërmit e tij thonë se kjo nuk është e vërtetë.
Në një prononcim për “BalkanWeb” miku i tij thotë se shteti është inekzistent dhe nuk ka ndihmuar për këtë çështje, ndërsa Florenci vijon të jetë në gjendje të rëndë në spitalin e Marsejës. Ndërkohë raportohet se të afërmit nuk kanë pranuar të firmosin për heqjen e aparaturave, edhe pse mjekët kanë shuar çdo shpresë për mbijetesë.
I riu Florenc Beqiraj ndodhet në spital prej disa ditësh dhe të afërmit e tij kanë denoncuar ngjarjen duke pretenduar se Florenc Beqirajn kanë tentuar ta vrasin në burg, ku ai ndodhej prej tre javësh.
Ai kishte shkuar para një viti në Francë duke kërkuar azil, por tre javë më parë ishte kapur nga policia, pasi nuk kishte dokumente.
Kushërira thotë se Florenci kishte telefonuar atë dhe një tjetër shok të tij, duke iu thënë se kishte probleme me personat me të cilët ndante qelinë, si dhe kishte shprehur frikë se mos e vrisnin.
Sipas saj, 23-vjeçari pas dy ditësh do të kthehej në Shqipëri, ndaj nuk kishte pse të vetëvritej, pretendim ky i ngritur nga policia e Francës.
Ai u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt, duke përfunduar në gjendje të rëndë. 23-vjeçari mbahet gjallë vetëm përmes aparaturave pasi është në gjendje kome./BW