Mbrëmë afro mesnatës, përfundoi mbrëmja e parë e Festivalit të 56 të Këngës në RTSH, i cili nisi me një spektakël të vërtetë dritash, të cilat në formën e tyre si kurorë, të conin lehtësisht në luksin e madhështinë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar”. Festivali filloi me të madhin Ricardo Cocciante që përcolli për publikun shqiptar hitin e tij “Margarita”, të cilin e improvizoi edhe me mbështetjen e publikut të sallës, që përsëriti me maestron refrenin e suoer hitit, si edhe më pas një duet me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani.
Festivali ka vazhduar më tej me 11 këngë të interpretuara nga këngëtarët më me emër të muzikës shqiptare, të cilat janë prezantuar nga 11 personazhe me gjurmë në jetën sociale të vendit. Ato vinin përgjthësisht nga rryma pop rokut alternativ, por pati edhe balada.
Në skenën madhështore të ngritur në Pallatin e Kongreseve, natën e parë u rikthyen emrat e mëdhenj të muzikës së lehtë, si Elton Deda, Mariza Ikonomi, vëllezërit Stefi dhe Endri Prifti, Voltan Prodani, Eugent Bushpepa, Bojken Lako, Manjola Nallbani, Redon Makashi, por edhe më të rinj si Luis Ejlli e Rezarta Smaja.