Konstituimi i dy organeve më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, dikton edhe kohën e ngritjes së organeve të reja antikorrupsion, ku përfshihen Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, ku të gjitha sëbashku përbëjnë atë që quhet SPAK.
Ngritja e SPAK-ut, strukturës komplekse e projektuar për të goditur krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, shënon edhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, kusht kryesor për të avancuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas përllogaritjeve, bazuar në 14 afate të parashikuara në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ngrihet brenda harkut kohor të 90 ditëve, që do të thotë pra në pranverë.
Brenda këtij limiti kohor do të ngrihet edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, për të cilin tashmë nuk ka asnjë pengesë procedurale. Ndërkaq, dy muaj nga momenti i zgjedhjes së anëtarit të fundit të KLGJ dhe KLP, duhet të ngrihen organet e SPAK-ut. Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale duhet të ngrihen brenda muajit prill 2018, pra deri në dy muaj pas konstituimit të KLP dhe KLGJ.
Po pse organet e SPAK-ut janë të ndërvarura nga KLP dhe KLGJ? Neni 12 i ligjit për SPAK-un, parashikon që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Neni 31 i po këtij ligji parashikon që Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Drejtori, Zëvendësdrejtori dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Ndërkaq, neni 44 i ligjit për organet e reja anti-korrupsion ose të SPAK-ut, parashikon që punonjësit e administratës gjyqësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u nënshtrohen dispozitave përkatëse të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj, në nenin 57, parashikon se Këshilli i Lartë i Gjyqësor organizon procesin e rekrutimit të stafit të Gjykatave Speciale. /Shqiptarja.com