Nga Ben Andoni
Kur muaj më parë të 140 anëtarët e parlamentit shqiptar ngritën unanimisht kartonat pro Reformës në Drejtësi, të huajt që kishin asistuar më së shumti për t’i bërë palët bashkë mbetën të habitur. Kishin hasur pengesa të panumërta dhe shpesh artificiale për muaj me radhë, e befas, si me magji dhe në një nga seancat e fundit të sezonit, politikanët shqiptarë bëheshin bashkë. Antropologët dhe sociologët, të cilët merren më së shumti me çështjen shqiptare, do kenë qenë më të habiturit për faktin sesi para një situate, ku shumë prej politikanëve parashiheshin se do të përfundonin pas hekurave dhe akuzonin realisht njëri-tjetrin binin dakord me ndëshkimin e tyre!
Por siç ndodh në Ballkan, pas çdo akti, qëndrimi ose pohimi duhej të shikosh pjesën e padukshme. Është mu kjo që vendos në të vërtetë qëndrimin dhe pikërisht ky element antropologjik që i mban peng sot vendet e rajonit nga zhvillimet normale.
Në rastin e Shqipërisë më shumë se kompleksiteti i Reformës, nuk u llogarit as se në zgjedhjet e ardhshme do të dilnin konfigurime të tjera politike, ku shumica prej 3/5 nuk do mund të sigurohej më (dhe realisht nuk u sigurua), por më shumë akoma se nenet e ndryshuara të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese kishin ngatërruar një strukturë që edhe ashtu ishte boll e koklavitur.
Për fat të mirë, një ngërç të tillë, Shqipëria e kaloi me sukses në fund vitin e tmerrshëm 1997 dhe 1998, kur shqiptarët me të huajt, që u asistuan, drejtuan procese të mira në sistemin juridik. Gjithsesi ekzagjerimi me të huajt, përdorja e emrave të tyre dhe përmendja kudo e për çdo gjë e ka bërë figurën e të huajit, që Shqipëria të duket gati si një lloj kolonie e kohëve moderne. Është e vërtetë se aprovimi i Brukselit dhe Uashingtonit është vendimtar për Reformën në Drejtësi, porse vetë shqiptarët kishin mundësi të negocionin mes tyre si duhet për t’i dhënë jetë këtij procesi jetik për të ardhmen evropiane të vendit. Në këtë hulli duket se burimet amerikane, si më të interesuarat për ndryshime por dhe me përvojat e shumë vendeve, që u kishin asistuar në tranzicion, u sugjeruan shqiptarëve ide interesante për Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë dhe hallkat e tjera. Por, më kot, sepse të gjitha s’patën efektin e duhur. Në një ide, të gjitha vështrimet shkonin në një drejtim: shqiptarët pasiguritë dhe ngërçet e tyre i delegonin tek të huajt. Aman, konkluzionet e tyre dhe këshillat do i lexonin dhe i interpretojnë sipas interesave, më së shumti politike.
Askush nuk e di më mirë se vendasi efektin e një ligji dhe të gjithë sfondin juridik-social-kulturor, që e shoqëron atë. Në fakt ashtu si paraardhësit në sisteme të ndryshme ekonomiko-politiko-shoqërore, shqiptarët zgjedhin të huajt dhe rezultati është ky i sotëm zvarritje e zvarritje dhe për të njëjtat kategori, për të njëjtin qëllim përcillet luftë dhe aspak alternativa.
Dhe, ndodh si me togfjalëshin “përpara kohe” që u fut dy herë në një ligj të hartuar ngutshëm për prokurorin për ta çuar vendin në një krizë, si kjo e ditëve të fundit, që tashmë do pjellë si zakonisht deri në pranverë të tjera me radhë. Nëse shqiptarët e jurisprudencës që merren me këto gjëra, do ishin të kujdesshëm, atëherë kjo dispozitë kushtetuese mund të zgjidhej më lehtë.
Por, si zakonisht pritet që të huajt do i japin zgjidhje. Dhe, realisht këtë bëri disa orë pas protestave të opozitës ambasadori amerikan Lu në Tiranë, tashmë i anatemuar nga opozita, nisi edhe njëherë nga fillimi përgatitjet për atë që e pret Shqipërinë pas disa muajve me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Cilido qoftë vendimi, e nëse do qëndrojë sërish e njëjta kryeprokurore, a nuk duket vendi ynë, si një koloni, që pret gjithnjë qendrën të vendosë dhe të sugjerojë?! Kjo është pyetja. (Javanews)