Deputetëve të LSI nuk u shpëton asnjë fjalë e kryetares së tyre Monika Kryemadhi. Ata janë të gatshëm t’i kopjojnë fjalët e saj dhe të ndërtojnë edhe statuse të tyre po me fjalët e saj. Që të jenë sadopak orgjinal as që bëhet fjalë. Statuset e tyre janë thjeshtë si shkrime copy paste që qarkullojnë në mediat online. Vetëm pak minuta pasi Kryemadhi aludoi për eleminim fizik të Kryeministrit Edi Rama duke i kujtuar atij vrasjen e Esat Toptanit nga Avni Rustemi, të njëjtën gjë ka bërë edhe kryetari i grupit parlamentar të LSi Petrit Vasili po me figurat e Toptanit dhe Rustemit, duke mbështetur kryetaren e tij për kërcënimet ndaj Ramës për vrasje. Bashkëshortja e Presidentit, pas dhunës që ajo bëri në Kuvend, deklaroi për mediat se: “Nuk do ndalem për asnjë moment. Populli shqiptar e ka vendosur drejtësinë në mes të Parisit”, duke iu referuar pikërisht vrasjes së ndodhur disa dekada më parë.
Po në një status në “Facebook”, edhe Vasili kërcënon për vrasje duke paralajmëruar Ramën për fundin e Toptanit.
“Trafikantët e Rilindjes ose Esat Pashë Toptanët e rinj, që ia kanë shitur Shqipërinë drogës dhe kriminelëve, dënojnë deputet më të rinj të Parlamentit se mbrojtën Kushtetutën dhe Shqipërinë. Dihet fundi i Esat Pashë Toptanit dhe çdokujt që shet atdheun. Shqiptaret nuk falin…”, shkruan Vasili.
Ndonëse votimi sipas ligjit i Kryeprokurores së Përkohshme s’ka asnjë lidhje me shitjen e territoreve shqiptare nga ana e Esat Pashës, Kryemadhi dhe Vasili i barazojnë këto duke aluduar haptazi për eleminim të kundërshtarit politik. Nëse ata e kanë fjalën se Rama u ka ‘shitur’ amerikanëve dhe Brukselit të drejtën që edhe ata të jenë pjesë e pastrimit të drejtësisë së kalbur në 27 vite, kuptohet që kërcënimet e tyre s’kanë lidhje me votimin e Kryeprokurores në Kuvend, por me tjetër gjë.