Monedha e përbashkët ka vijuar rënien në tregun vendas edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 133.13 lekë, duke arritur nivelin më të lartë që nga ditët e fundit të muajit gusht.
Aktorët e tregut pohojnë se rënia lidhet me efekte sezonale, ashtu siç ndodh gjithmonë në fund të vitit. Ardhjet e emigrantëve rrisin ofertën për valutë në treg, duke bërë që euro të humbë pikë ndaj monedhës vendase.
Një tjetër faktor, sipas ekspertëve lidhet me faktin që këtë vit, tregtarët i kanë bërë blerjet e fundvitit që në muajin nëntor, çka ka bërë që në dhjetor të mos ketë kërkesë të lartë për valutë.
Afrimi i datës 20, si çdo muaj shoqërohet dhe me rritje të këmbimeve të valutës me lekë nga kompanitë e huaja që veprojnë në Shqipëri, ose nga ato vendase që i marrin të ardhurat në lekë, të cilat nxitojnë që të bëjnë pagesat e sigurimeve shoqërore.
Tradicionalisht euro zhvlerësohet në tregun vendas deri në ditët e fundit të vitit, ndërsa janari shoqërohet me forcim të monedhës së përbashkët.
Me rënie të fortë është shoqëruar edhe dollari, i cili ka zbritur në 112.47 lekë, duke reflektuar faktin që monedha vendase është e fortë.
Për të gjithë ata që kanë vendosur të kalojnë festat e fundvitit jashtë, ky është një lajm i mirë, teksa me të njëjtën sasi lekësh do të marrin më shumë valutë, si euro ashtu dhe dollarë.
Lajm i mirë është dhe për kredimarrësit që e kanë huanë në valutë, si në lekë ashtu dhe dollarë.
Ndërsa i keq është lajmi për ata që paguhen në euro dhe do të duhet që t’i kthejnë eurot në lekë për të shpenzuar në tregun vendas.
Në ekonomi, zhvlerësimi i euros ndikon negativisht eksportuesit, por në kahun tjetër i bën importet më të lira, duke ndikuar në uljen e çmimeve. Qeveria gjithashtu do të ketë kosto më të ulët në shërbimin e borxhit të jashtëm. /Monitor/a.m.