Punonjësit e administratës shtetërore që kanë borxhe ndaj shoqërive të ujësjellësve do të duhet detyrimisht të shlyejnë të gjitha detyrimet. Ky është në thelb urdhri i firmosur nga kryeministri Edi Rama. Skema e Reformës së ujit është e ngjashme me atë të energjisë elektrike. Ajo nis pikërisht me institucionet e me pas shtrihet tek familjarët.
Në urdhrin e kryeministrit sqarohet se të gjitha institucionet publike kanë 30 ditë afat të lidhin kontrata të rregullta me ujësjellësit në rast se nuk e kanë një të tillë, ndërkohë që nëse kanë detyrime të papaguara të nënshkruajnë marrëveshje me ujësjellësin përkatës për të nisur shlyerjen e borxheve.
Pas verifikimit të institucioneve, do të futen në lupë edhe punonjësit e tyre. Urdhëri detyron çdo punonjës të shtetit të dorëzojë në institucionin ku punon kontratën e furnizimit me ujë të pijshëm. Më pas, këto kontrata do të verifikohen dhe nëse punonjësit dalin debitorë pranë ujësjellësit do të lidhin menjëherë marrëveshjen për shlyerjen e detyrimeve.
Në fillim të muajit nëntor qeveria lajmëroi aksionin rrënjësor kundër informalitetit në sektorin e ujit, i cili synon që brenda vitit të ardhshëm të gjithë konsumatorët të jenë të pajisur me kontrata të rregullta të furnizimit me ujë./ RTSH/a.m.