Një ndër themeluesit e monedhës virtuale Bitcoin ka shitur të gjithë bitcoinët që kishte dhe e ka quajtur këtë monedhë si të pavlerë.
Emil Oldenburg, që ishte një ndër shefat e bitcoin.com, thotë që investimi në këtë valutë virtuale është me rrezik të madh, edhe pse vlera e saj në tregun virtual është rritur tej mase muajt e fundit.Duke folur për sajtin suedez që raporton për teknologji ‘Breakit’, Oldnburg ka treguar përse nuk ka më besim në kriptovaluta.
“Është me rrezik të madh. Kohët e fundit kam shitur tërë bitcoinët e mi dhe i kam marrë cash”, ka treguar ai, duke shtuar që transaksioni i shitjes i ka kushtuar 50 dollarë dhe për këtë ka pritur 12 orë derisa është konfirmuar transaksioni në sistem.
Në janar të vitit të kaluar, Bitcoin kishte vlerën e 1 mijë dollarëve, kurse aktualisht qëndron në 18 mijë dollarë. Edhe ekspertë të tjerë kanë apeluar kundër investimeve në këtë kriptovalutë, pasi rritja e madhe në vlerë dhe interesimi nga mbarë bota ka bërë që të rriten transaksionet dhe të mbingarkohet sistemi i blerje-shitjeve.
Megjithatë, ende është duke u zhvilluar debati nëse Bitcoin është thjeshtë balonë financiare dhe do të shpërthejë duke shkaktuar humbje të mëdha, apo është sistem i mirëfilltë investimesh ku njerëzit do të mbajnë për një kohë të gjatë paratë dhe do të fitojnë nga investimet e tyre, përgatiti Express. (b.an)