Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në hyrje të qytetit të Korçës. I plagosur ka mbetur Mina Zoja, 39-vjeç i cili mësohet se sapo ishte kthyer nga Gjermania ku jeton prej vitesh, ndërsa mësohet se emri i të plagosurit është i njohur për policinë. Mina Zoja rezulton të jetë dënuar në Shqipëri dhe Gjermani për trafik droge, ndërsa ngjarja e sotme dyshohet të ketë lidhje pikërisht me prishjen e pazareve të drogës.
Burimet nga policia bëjnë me dije se fillimisht ka pasur përleshje midis 39-vjeçarit dhe 8 personave të tjerë. Pasi janë përleshur fizikisht me 39-vjeçarin, ata janë larguar me shpejtësi, por janë kthyer më pas dhe e kanë qëlluar me armë në këmbë. I plagosuri është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Korçës, por më pas është transportuar në drejtim të Tiranës për mjekim të specializuar.
Ai është marrë në pyetje nga policia në ambientet e spitalit, por dëshmia e tij nuk e ka ndihmuar policinë në krijimin e identiktit për autorët e ngjarjes. Kjo pasi Mina Zoja është treguar mjaft i rezervuar. “Nuk i njoh personat që më qëlluan”, ka deklaruar ai përpara grupit hetimor. Megjithatë policia po heton pistën e një konflikti të vjetër mes të plagosurit dhe autorëve. Policia e Korçës ka shoqëruar disa persona në Komisariat, të dyshuar si autorë të kësaj ngjarje, ndërsa ka ngritur postblloqe përgjatë aksit rrugor Korçë-Ersekë.