Nga Ylli Pata
Pas zallamahisë së djeshme të Kuvendit, betimi i Kryeprokurores së re tashmë ndodhet in hold për firmën e Presidentit Ilir Meta, dekretimin e kreut të përkohshëm të organit të akuzës.
Pas një sherri dhe lufte të ndezur 24 orë më parë, pak është diskutuar mbi njeriun që u përzgjodh me nga mazhoranca për ta zëvendësuar Adriatik Llallën vetëm për disa muaj.
Dhe siç duket, është një përzgjedhje shumë e kujdesshme dhe me një simbolikë të caktuar, gjetja e Arta Markut.
Duket se ky “operacion” i menaxhuar nga “ylli” i ri juridik i PS-së, kreu i komisionit parlamentar të ligjeve, Ulsi Manja, ka pasur edhe regjinë në distancë të Edi Ramës, i cili siç u pa, është orientuar që në fillim kah Arta Marku si kandidate e përshtatshme.
Po cilat kanë qenë ato veçanti, apo specifika, ato detaje të cilat kanë shërbyer si kritere bazë tek profili i saj, për të qenë ajo e përzgjedhura e mazhorancës – për të mos thënë e Ramës personalisht – si zëvëndësuese e Adriak Llallës?
Juristja e re me origjinë nga Puka, e që ka 15 vjet që punon në Shkodër – pra një shkodrane prej Puket – përveç cilësive të punës që njihen dukshëm mirë nga Ulsi Manja i cili e ka pasur vartëse direkte kur ishte Kryeprokuror i Shkodrës, përfaqëson një përjashtim nga rregulli që përbën sot armatën e drejtësisë shqiptare.
Ajo nuk është as ish-juriste e administratës komuniste të diktaturës, e as e ardhur nga kursi 6-mujor i Plepave në Durrës, që mbushi drejtësinë pas vitit 1992.
Arta Marku, është investim i fazës së parë të ndihmës ndërkombëtare për drejtësinë shqiptare, siç është ngritja e shkollës së Magjistraturës, e cila përgatit në mënyrë specifike juristët që do të punojnë në gjykata dhe prokurori.
Përveç shkollimit komplet të kritereve magjistrale, ish-prokurorja e Shodrës ka fiks 15 vjet përvojë në organet e drejtësisë shqiptare.
Pra jo vetëm plotëson në mënyrë të plotë kriteret e përcaktuara nga ligjet për të hyrë në garë për Kreun e Prokurorisë, por edhe i përmbush ato pa krijuar mundësi për polemika.
Në nisjen e reformës në drejtësi, analistë por edhe politikanë të opozitës, akuzuan mazhorancën se në përcaktimin e viteve të përvojës, krijojnë mundësi që në strukturat e drejtësisë së re të hyjnë njerëz që kanë punuar në periudhën e diktaturës.
Por ne jemi 27 vjet pas rrëzimit të komunizmit dhe në këtë periudhë ka pasur kohë mjaft për të kualifikuar dhe vëzhguar eksperiencën e juristëve në sistem edhe jashtë tij.
Pra në mënyrë preçize, Arta Marku është shembulli që rrëzoi këta zëra, si dhe krijon precedentin sesi është modeli i njeriut të drejtësisë së re.
Ndërkaq, edhe pse disa media, aluduan me rastësinë e qënies kolegë të Manjës me Markun, me një lloj njohjeje që krijon konflikt interesi, Kryeprokurorja e Përkohshme ka edhe një anë që duket se është preferuar nga Edi Rama.
Ajo i përket një familje krejtësisht të djathtë politikisht, madje me lidhje më shumë me Partinë Demokratike.
Mjafton fakti se ish-deputetja e PD-së, Albina Deda është familjare e Kryeprokurores. Këto ditë, znj. Deda edhe o ka lobuar ndër gazetarë për ta patur më të qartë profilin njerëzor të zonjës Marku që natyrisht e njeh mirë.
Pra jo vetëm formalisht, Kryeprokurorja e re nuk është një zgjidhje politike brenda mazhorancës, por një juriste brenda sistemit me barazlargim nga PS-ja.
Më mirë se kaq nuk do të kishte dëshiruar Kryeministri në një ndërmarrje që rezultoi shumë e vështirë. Dhe në fakt opozita u mor me procedurën dhe jo me personin.
Nëse do të kishte pasur qoftë edhe një lidhje me të majtën, sulmi do të ishte edhe më i fortë dhe ndoshta Edi Rama do të kishte edhe më pak hapësirë për të vepruar.