Sokoli iku atë natë me shi, pas së cilës ankthi torturues dhe dhimbja kishin pushtuar rrugën e Elbasanit, vendin ku ai u gjet i rënë në greminë.
La pas familjen ideale, nënë Kozetën fisnike, Kelën, një grua dinamike, pedagoge në Universitetin e Tiranës, dy bijtë e tij të talentuar, Glaukun dhe Kleitin, si dhe të vëllain, Ardianin.
Heshtja që kishte pushtuar brendësinë e automjetit, në të cilin u gjet trupi i tij i pajetë, nuk do të arrijë ta zbardhë kurrë të vërtetën e largimit të tij nga kjo botë. Ai nuk mund të flasë, ndonëse ishte triumfues në çdo diskutim që bënte, përherë me dëshmi, duke argumentuar të vërtetat. Porse, ai kurrë nuk mund ta argumentojë të vërtetën e vdekjes së tij.
Sot, dy vjet pas tmerrit të asaj nate, kur papritmas u dha lajmi se Sokoli nuk jeton më, në një intervistë ekskluzive, bashkëshortja e tij, Enkeleda Olldashi, shpalos të pathënat e jetës së tyre, për revistën kosovare “Teuta”.
Po bëhen 4 vjet pa Sokolin. Si po e përballoni këtë periudhë kohore, prej kur jeta juaj ndryshoi, papritur, në tërësi?
Unë besoj te transformimi i formës së jetës së individit nga një gjendje, në një gjendje tjetër. Ai që arrin ta kuptojë dhe ta pranojë atë që pohova më sipër, më mirëkupton, nëse nuk do ta konsideroja mospraninë fizike të Kolit si “jetë pa Kolin”. Çdo njeri ka dimensionet e tij dhe ato nuk mund të shuhen nga mosprania fizike e tij. Për njerëz si Koli, fjala dimension ka kuptimin më të plotë të saj. Dhe, a mund të më drejtohet mua kjo pyetje?… Besoj se pyetja e mësipërme nuk përputhet me konceptim tim për jetën.
Është një dhimbje, e cila kurrë nuk zbehet, ngase ka plagë që koha kurrë nuk mund t’i shërojë. Si arritët ta mundni dhimbjen, cili ishte motivi juaj më i fortë për jetën?
Jeta është vetë një motiv dhe për sa kohë e ndien që frymëmarrja jote vibron në atmosferë, atëherë ti je pjesë e së tërës. Trishtimi është një ndjesi shumë personale dhe lum ai që di t’i largohet apo të largojë nga vetja ndjesi të tilla, të cilat nuk kanë lidhje me atë që mund të të kenë bërë të trishtohesh, por me ty që nuk ke ditur të kuptosh apo besosh se ajo që trishton nuk është mungesa e fizikes, por pamundësia e jetesës vetëm me jomaterialen. Në këtë aspekt, më trishton mosrezonimi me Kolin në të njëjtën formë jete.
Ju kujtohet ku ishit dhe çfarë ishit duke bërë mbrëmjen e 20 nëntorit 2013, në momentin kur e kuptuat se Sokoli ishte aksidentuar? Kishit ndonjë plan, të cilin nuk e realizuat?
Pyetja është shumë e trishtë në vetvete dhe nuk dua as ta rikujtoj për t’iu përgjigjur. Unë nuk dua të kujtoj një moment nga vijimësia ende e jetës me Kolin, pasi, nëse do të jem duke bërë këtë, atëherë do të thotë që kam reshtur së jetuari. Më falni, lexues! Më duhet të them që, në një marrëdhënie shpirtërore ndërmjet njerëzve, nuk ka plane, por realizime.
E brengoste diçka Sokolin, ju fliste për ndonjë problem?
Koli dinte të jetonte si askush tjetër që njoh. Vështirë që dikush me vitet e Kolit të ketë jetuar më shumë se ai në këtë jetë. Brengat janë pjesë e jetës dhe me siguri, si gjithkush nga ne, edhe Koli duhet të ketë pasur brengat e tij. Koli dinte të ndante me njerëzit të mirat, ndërsa ligështitë dhe brengosjet dinte t’i mbante për vete. Ato “probleme” që donte të ndante, ishin të karakterit shumë parimor dhe nuk lidheshin me emra individësh. Problematikat nuk i shikonte si fenomene të shkaktuara nga individi specifik, por si rrethana. Dhe rrethana problematike në jetën e tij, sigurisht që ka pasur. Ai dinte të ishte lider dhe një lider, i lindur si i tillë apo jo, kur gjendet në rrethana problematike, di të dalë prej tyre pa lënduar askënd.
A keni menduar ndonjëherë se do të përshëndetenit kaq herët me dashurinë tuaj të jetës?
Pyetje sërish trishtuese. Unë nuk e kam përshëndetur dashurinë time për Kolin dhe besoj nuk do të mund ta bëj këtë në asnjë rast që do të mund të më ofrojë jeta. Ai është pjesë e imja dhe asnjë rrethanë nuk më pengon të jem me të.
Ju dhe Sokoli jeni martuar në moshë relativisht të re. Sa vjet jetuat bashkë? E kujtoni ndonjëherë ditën kur u takuat për herë të parë?
Ne jemi bashkë që nga vitit 1995. Jemi njohur në auditorët e Fakultetit të Drejtësisë dhe momenti që na bëri të besojmë te simbioza jonë ka qenë në periudha që sapo ishin diplomuar. Kemi qenë shokë deri në momentin e diplomimit dhe pa arsye të forta deri atëherë për të menduar se do të ndërtonim një jetë së bashku. Ishin disa shkëndija më pas që na bënë të mendonim për jetesën e përbashkët. Vendosëm ta ndanim me të afërmit tanë këtë vendim, pa pritur ndonjë aprovim “zyrtar” prej tyre, pasi ishim në një moshë që e dinim se çfarë po bënim. Ne jemi moshatarë, edhe pse në fakt unë jam disa ditë më e madhe se Koli.
Ju ndërtuat një familje, madje keni dy djem të rritur. Fëmijët tuaj kaluan një periudhë të vështirë, duke parë dhe duke përjetuar secili në mënyrën e vet humbjen e babait. Gjatë kësaj periudhe, djemtë i evokojnë më tepër kujtimet e pikëllimit apo periudhën kur Sokoli ishte me ju?
Koli është ende me mua dhe djemtë e tij, dhe te kjo besoj unë, edhe ata. Ne vijojmë të flasim në të tashmen për Kolin. Është e kuptueshme që mosprania fizike e tij nuk është një fakt i vogël, por kjo nuk na bën që kujtimet të mbyten nga pikëllimi.
Cila ishte dëshira e Sokolit për djemtë? Për çfarë u fliste kryesisht Glaukut dhe Kleitit, kur ishin bashkë?
Gjithmonë ka dashur që profesionin djemtë ta zgjedhin dhe kjo zgjedhje të mos jetë imponim i rrethanave, por pjesë e pasionit të tyre. Djemtë ende nuk janë në moshën e vendimeve të tilla dhe shpresoj që deri atëherë, ata të kenë bërë zgjedhjen e duhur për veten e tyre, dhe jam e bindur që me një zgjedhje të tillë do jetë dakord edhe Koli.
Në fakt, krahu juaj i fortë është nëna e Sokolit, Kozeta, e cila ju ndihmon në rritjen dhe kujdesin ndaj djemve, me të cilën jetoni bashkë, njësoj si dikur, kur ishte Koli gjallë?
Kozeta është Koli dhe ajo është pjesë imja dhe e djemve tanë. Ne kemi jetuar bashkë dhe vijojmë të jetojmë bashkë. Kozeta është një grua e fortë, term i cili nuk meriton të përdoret për këdo. Ka qenë dhe vijon të më jetë në krah në përditshmërinë time.
Ju jeni pedagoge në Fakultetin Juridik, gjatë punës dhe përditshmërisë suaj, sa është prezent Koli në jetën tuaj?
Kjo pyetje më pëlqen. Politika, si profesion i ushtruar nga Koli, ka qenë objekt hera-herës në leksionet e mia. I mbështes disa koncepte juridike te politika dhe pa dashur të shfajësoj politikën, për disa “mëkate” të jetës juridike, fajësoj veten dhe juristët që nuk gjejmë forcën të përballemi me të. Profesioni im dhe ai i ushtruar nga Koli kanë shumë pika të përbashkë- ta, për të mos thënë dhe misione të njëjta. Koli është modeli i politikanit që vlen të mbahet në konsideratë jo vetëm prej atyre që e ushtrojnë këtë detyrë, por edhe prej çdo profesionisti të një fushe tjetër. Gjithkush në profesionin apo detyrën e tij duhet të udhëhiqet nga parimet e së mirës dhe së drejtës, dhe për hir të këtyre dy parimeve të gjejë gjithnjë kurajën të dalë mbi të keqen që mbërthen shpirtin e tij. Koli dinte me shumë mjeshtëri ta bënte këtë dhe mënyra e tij e të bërit politikë mua më ka ndihmuar në ushtrimin e profesionit tim. Edhe pse në profesionin tim nuk ka mbërthyes të shpirtit në atë format që prodhon politika, sërish vend për të qenë pedagogu i varur nga rrethanat politike dhe jo nga liria akademike dhe shkencore, mund të ndodhë të jesh. Jam përpjekur dhe do të vazhdoj gjithnjë të udhëhiqem nga ato parime të së drejtës, për të cilat u flas studentëve të mi.
Që nga vdekja aksidentale, çdo të premte, ju dhe nëna e tij, Kozeta, vizitoni varrin e Sokolit. Arrini të çmalleni duke i kaluar disa momente pranë varrit të tij?
Nuk janë objektet përkujtimore ato që të çmallin, ato janë veç vende që ti mendon se krijon një kontakt fizik.
Janë disa data në jetën e njeriut që sjellin shqetësime: Ditëlindjet, përvjetori juaj i martesës, ditëvdekja e Sokolit… Si i kaloni këto momente, të cilat janë të mbushura me pikëllim?
Unë besoj tek ajo që dikush ka thënë “për sa kohë janë gjallë miqtë e tu, aq kohë do të jesh gjallë edhe ti”. Ditëlindja e Kolit vazhdon të mbetet ditëlindja e tij. Përvjetori ynë i martesës vazhdon të mbetet përvjetori ynë.