Motoçikleta e djegur, telefoni dhe kartela e blerë, disa videoincizime, si dhe adresa elektronike, dalin të jenë provat kryesore mbi të cilat është mbështetur gjykata kur ka ardhur në përfundim se katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë fajtorë për sulmin e cilësuar si terrorist mbi objektin e Kuvendit të Kosovës.
Shkalla e parë, sipas aktgjykimit të siguruar nga “Koha Ditore”, është mbështetur në prova materiale dhe prova rrethanore.
Njëkohësisht ka përshkruar provat shfajësuese dhe pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarve, përmes së cilave aktakuza është cilësuar e pabazuar.
Një muaj më parë gjykata e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 8 vjetësh deputetin e VV-së, Frashër Krasniqi, kurse aktivistin Atdhe Arifi me 6 vjet burgim. Me burgim është dënuar edhe aktivisti tjetër, Egzon Latifi, në kohëzgjatje prej 5 vjet e 6 muaj burgim. Ndërkaq aktivistja Adea Batusha është dënuar me 2 vjet burgim.
Të katërtit, sipas gjykatës, janë fajtorë për sulmin me raketahedhës, i cili ka ndodhur vitin e kaluar në objektin e Kuvendit të Kosovës.Ditën kur është kumtuar dënimi Gjykata nuk ka treguar se në çfarë provash është mbështetur kur ka ardhur deri te ky përfundim.
Atë ditë, në arsyetimin e gjykatës, të cilin e ka lexuar kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, është thënë se sulmi është kryer në bashkëkryerje, “me qëllim të shkaktimit të ndjenjës së pasigurisë te qytetarët e Kosovës”, përgatiti Koha. (b.an)