Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski doli sot para gjykatës me akuzën për korrupsion lidhur me ndërtimin e një autostrade.
“Në mënyrë të qartë kemi të bëjmë me një gjykatë të njëanshme, me qëllimin e vetëm për të më dënuar sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Nikolla Gruevski, gjatë daljes nga gjykata.
Procesi pritet të rinisë më 26 dhjetor.
Nikolla Gruevski është i akuzuar për abuzime me pushtetin dhe për ushtrim të një influence në kundërshtim me ligjin duke ndërhyrë në një tender për ndërtimin e një autostrade që lidh perëndimin e Maqedonisë me Ohrin, një zonë e rëndësishme e turizmit maqedonas.
”Nikolla Gruevski është i dyshuar se ka zgjedhur ofertën më të kushtueshme, me një vlerë që tejkalon koston e vërtetë me më shumë se 150 milionë euro”, sipas prokurorisë.
Ish-politikani i hekurt i Maqedonisë, i cili drejtoi pa ndërprerje për 10 vite (2006-2016), dha dorëheqjen në fillim të dhjetorit nga posti i kryetarit të partisë së djathtë nacionaliste, VMRO-DPMNE.
Nikolla Gruevski, 47 vjeç, dhe zyrtarë të tjerë të opozitës së djathtë janë në shënjestrën e gjykatës maqedonase që ka nisur hetimet për disa çështje korrupsioni dhe abuzime me pushtetin.
Gjatë seancës së parë dëgjimore që u zhvillua sot, vetëm prokurori dhe avokati i ish-kreut të qeverisë maqedonase morën fjalën./b.d