Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë ditën e djeshme para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurimit personal që është marrë ndaj tij, që nuk e lejon të dalë jashtë vendit.
Në seancë, Tahiri u shoqërua nga avokati i tij, Maks Haxhia, ndërsa organin e akuzës e përfaqësoi prokurori Gentian Osmani. Tahiri kërkoi që të rrëzohet bllokimi i pasaportës, duke argumentuar se provat e sjella nga Prokuroria kanë qenë të njohura më parë për të dhe se ai nuk ka pasur kurrë qëllim të largohet jashtë vendit për t’iu fshehur drejtësisë.
Gjithashtu, ish-ministri tha në seancë se nuk e trembte masa e sigurimit, por ajo që e cilësoi si vendim i pabazuar i tij. Tahiri bëri edhe një paralelizëm me kreun e Gjykatës së Lartë, Zaganjorin, të cilit iu përmend emri nga dy persona kohë më parë se kërkonte para për një vendim.
Me këtë shembull, ish-ministri kërkoi të mbrohej duke thënë se ndaj tij po merreshin masa, vetëm pse dy kriminelë e kishin përmendur në bisedat mes tyre. Në fund të seancës, Gjykata e rrëzoi kërkesën e Tahirit për zhbllokimin e pasaportës.
Deshmia e zbardhur nga “Panorama”
Gjyqtarja: A jeni në dijeni të kësaj mase të sigurimit personal?
Tahiri: Më falni, por kjo seancë po zhvillohet që të më pyesni mua vetëm nëse jam në dijeni, apo jo? Natyrisht që jam në dijeni dhe ndaj kam ardhur këtu…
Avokati: Kjo është një seancë dëgjimore, nuk do të thotë se seanca do të zhvillohet për të pyetur nëse është në dijeni apo jo klienti im?
Gjyqtarja: Kur ju drejtova me atë pyetje, doja të thosha nëse do të jepnit sqarime të mëtejshme…
Avokati: Kjo seancë nuk mund të zhvillohet vetëm me pyetje, pa dëgjuar edhe pretendimet tona. Ne kërkojmë që të revokohet kërkesa e Prokurorisë. Provat që paraqiti Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk janë të reja. Ato i ka pasur që më 20 tetor dhe janë shqyrtuar nga Komisioni i Rregullimit të Mandateve në Kuvend. Pas shqyrtimit, ky komision vendosi të mos pranojë kërkesën e Prokurorisë për t’i hapur rrugë arrestimit, por lejoi që Prokuroria të kryente veprimet e tjera të mëtejshme. Ky material, në bazë të të cilit ju keni marrë këtë vendim, tashmë është i njohur dhe i njëjtë me atë që na u paraqit në Komision. Më 1 nëntor u arrestua shtetasi Orest Sota, të cilit iu gjetën edhe dy patenta të zotit Tahiri, ndërsa ajo ngjarje iu bashkëngjit dosjes së tij. Kjo për ne nuk është korrekte. Sa u përket materialeve për Habilajt, ato janë marrë nga autoritetet italiane dhe nuk kanë asnjë lidhje me çështjen në fjalë. Kushtet dhe kriteret për të cilat kjo Prokurori kërkon këtë masë sigurimi janë të njohura për ne. Klienti im është deputet, dhe është më i interesuari nga të gjithë që t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.
Gjyqtarja: A keni prova për të paraqitur?
Avokati: Ne nuk kemi prova për të paraqitur. Materiali i Prokurorisë është i autoriteteve italiane. Këtë duam ta theksojmë dhe nuk ka argument pse merret kjo masë.
Gjyqtarja: Në kërkesën e depozituar nga Prokuroria argumentohen hyrje-daljet e shtetasit Tahiri jashtë vendit me mjete të shitura te të pandehurit Habilaj dhe të zotit Sota. A keni ndonjë gjë për të thënë për këtë?
Avokati: Zoti Sota dhe familja e tij ka vite që është në botën e biznesit dhe është korrekte me ligjin. Sota nuk është një person i inkriminuar. Dalja e zotit Tahiri jashtë vendit me mjetin e tij nuk tregon asgjë për inkriminim. Ndërsa, sa u përket lëvizjeve jashtë vendit të zotit Tahiri me mjetin “Audi”, na lejoni të shpjegojmë se mjeti ka qenë i zotit Tahiri dhe është shitur, por ai edhe kur e ka përdorur, në asnjë moment nuk e ka marrë nga personat që po procedohen në Itali, por është sjellë nga xhaxhai i tij. Nga data 17 nëntor, zoti Tahiri ka qenë jashtë vendit dhe organi i akuzës ka qenë në dijeni për këtë. Nuk ka qenë në shtetin italian, por ka dalë për arsye personale a shëndetësore.
Tahiri: Zonja gjyqtare, më lejoni t’ju them se në marrjen e vendimit për këtë masë, ju keni pasur dy mundësi; ose të thërrisnit palët për të marrë vendimin, ose të merrnit vendimin dhe më pas të thërrisni palët. Këtë gjë keni bërë…
Gjyqtarja: Këtë parashikon ligji…
Tahiri: Kam përshtypjen se ligji i parashikon të dyja, megjithatë nuk dua të argumentoj shumë për këtë pjesë. Ajo që dua të them është se a ekziston rreziku që unë të largohem jashtë vendit nga frika për veprat penale për të cilat akuzohem? Ato janë akuza që unë i dija, isha njohur më parë dhe nuk kishte asnjë akuzë të re për mua, apo ndonjë rrethanë të re rënduese që do të më shtynte të largohesha.
Nëse për këtë vendim u jeni referuar hyrje-daljeve të mia, unë kam hyrje-dalje pafund, me kë makinë kam dashur, por për asnjërin prej tyre unë nuk kam pasur dijeni që personat që e kanë poseduar kanë qenë të inkriminuar. Nuk më dhemb aspak mosdalja jashtë vendit.
Madje, nëse më thoni që të rri në shtëpi, apo në burg, do të rri. Ajo që më dhemb është marrja e vendimeve të pabazuara, të pambështetura. Sa u përket dy patentave apo edhe dy personave nën hetim që kanë përmendur emrin tim, pse duhet të merren masa të tilla? Kemi rastin e një kryetari gjykate, të cilit iu përmend emri nga dy persona se kërkonte para për një vendim dhe asnjë masë nuk u mor për të. Dua t’ju them, se nuk do doja as për ju dhe as për askënd që të merreshin masa të tilla vetëm se përmendet emri nga dy të inkriminuar.
Gjyqtarja: Po zoti Prokuror…
Prokurori: Depozitimi i kërkesave është bërë sipas ligjit në fuqi. Është e vërtetë që më 21 nëntor është depozituar materiali i plotë i përkthyer nga Ministria e Drejtësisë i dosjes së Katanias. Ky material është një nga shtyllat kryesore të kësaj kërkese. Neve na janë dashur dy javë që ta shqyrtojmë këtë material dhe prandaj kjo kërkesë është bërë këtë javë. Ne iu drejtuam Kuvendit dhe tani iu drejtuam Krimeve të Rënda.