17 dhjetori shënon pagëzimin e një prej kompozitorëve më prodhimtarë dhe më të talentuar në histori – Ludwig van Beethoven. Për të përkujtuar këtë ditë, po rendisim 10 fakte interesante për jetën e tij.
Për vite Beethoven besonte se qe më i ri sesa ishte nw tw vwrtetw
Për shumë vite, kompozitori besonte në mënyrë të gabuar se ai lindi në vitin 1772 dhe jo në vitin 1770. Spekulohet se ky mashtrim ishte projektuar nga babai i tij për të bërë që talentet muzikore të djalit të tij të dukeshin edhe më të avancuara se ato që tashmë ishin.
Për moshën e tij, Beethoven ishte me siguri shumë i talentuar dhe luajti në shfaqjen e tij të parë publike në moshën 7 vjeçare. Por babai i tij e reklamoi moshën e djalit të tij si gjashtë e gjysmë, ndoshta për të bërë krahasime me Mozartin, i cili u konsiderua si një figurë e fëmijës gjeni dhe filloi duke vizituar Evropën në moshën gjashtëvjeçare.
Nuk ka të dhëna të qarta për datën e saktë të lindjes së Beethoven-it, por në vitin 1770, në Bon, ekziston një shënim për pagëzimin e tij. Foshnjat zakonisht pagëzoheshin brenda një ose dy ditësh nga lindja e tyre për shkak të nivelit të lartë të vdekshmërisë foshnjore, kështu që ka shumë gjasa që ai të jetë lindur më 16 dhjetor.
Ai botoi kompozimin e tij të parë në moshën 12 vjeçare
Beethoven ishte i njohur për të qenë i jashtezakonshëm në improvizim, një dhunti përmes të cilës ai krijoi një mori kompozimesh gjatë jetës së tij. Kompozitori Johann Baptist Cramer, një bashkëkohës i Beethovenit, njëherë tha, “nëse nuk e keni dëgjuar Beethovenin të improvizojë, nuk keni dëgjuar improvizim fare”.
Deri në vitin 1783, në moshën 12 vjeçare, Beethoven publikoi kompozimin e tij të parë zyrtar – një grup prej nëntë variacionesh për piano. Jo vetëm që këto ishin të shkruara në C minor, një zgjedhje e pazakontë për kohën, ata gjithashtu janë shumë të vështirë për të luajtur.
Beethoven vazhdoi të shkruante muzikë edhe pasi u bë i shurdhër
Jeta e rritur e Beethoven është shënuar nga një luftë heroike për të vazhduar karrierën e tij si muzikant dhe kompozitor, pavarësisht shurdhimit në rritje. Nga mosha 25 vjeç, dëgjimi i tij filloi të binte, me 27 ai filloi të dëgjonte gumëzhimë të vazhdueshme dhe ai e humbi dëgjimin e tij tërësisht kur ishte 46 vjeç.
Megjithëse ai përfundimisht u tërhoq nga interpretimi në piano për shkak të humbjes së dëgjimit, ai vazhdoi të shkruante gjatë gjithë jetës së tij. Beethoven në fakt prodhoi disa nga veprat e tij më të rëndësishme gjatë dekadës së fundit të jetës së tij, kur ai ishte plotësisht i shurdhër.
Edhe pa dëgjimin e tij, Beethoven pati një aftësi të përsosur krijimi. Ai me siguri do të shkonte për shëtitje të gjata, në të cilat ai do të improvizonte fraza tepër të ndërlikuara në kokën e tij, duke i shënuar ato në fletoren e tij duke ecur.
Jetë e vështirë familjare
Babai i Ludwig van Beethoven ishte një këngëtar i dështuar i Oborrit princëror dhe i vuri të gjitha shpresat e tij mbi Ludwigun e ri – duke e detyruar atë të praktikohej për orë të tëra çdo ditë e natë dhe duke e rrahur atë kur gabonte. Fqinjët treguan se e kishin parë djalin që qante mbi tastierë, me babain që rrinte duke bërtitur pranë tij.
Beethoven ishte një nga shtatë fëmijët, edhe pse katër vdiqën, duke e lënë atë dhe dy vëllezër të rinj. Deri në moshën njëmbëdhjetë vjeç, ai duhej të linte shkollën për të mbështetur familjen.
Ai vazhdoi të mësohej nga organisti i gjykatës së Bonit, Christian Gottlob Neefe, dhe së shpejti filloi të punonte si asistent i tij. Kur ishte 18 vjeç ai ishte shtylla kryesore për familjen e tij, pasi alkoolizmi i babait të tij bëri që ai të mos ishte më në gjendje për punë.
Beethoven ishte një “pijetar” i fortë
Ashtu si babai i tij para tij, Beethoven ishte i dhënë pas pijes dhe ka shumë të ngjarë të alkoli të ishte një faktor me peshë në vdekjen e tij në moshën 56 vjeçare. Ai u arrestua gabimisht nga një polic që nuk e njohu atë në Vjenë, në vitin 1827, pasi endej i pirë rrugëve.
Legjenda thotë se fjalët e fundit të Beethoven ishin “miqtë e mij duartrokisni, komedia mbaroi” në latinisht, një varg popullor që zakonisht mbyllte krijimet teatrore. Por në të vërtetë fjalët e tij të fundit ishin shumë më pak “intelektuale”. Një mik i tij, botues muzike, thuhet se i solli kompozitorit disa shishe verë si dhuratë në shtratin e vdekjes dhe Beethoven kur i pa tha “sa keq, sa keq, tepër vonë”.
Vepra e tij ka pasur një ndikim të madh në botë
Beethoven është një figurë qendrore në periudhën kalimtare midis epokave klasike dhe romantike në muzikë dhe shumë nga kompozimet e tij u konsideruan të reja për kohën. Për shembull ai ishte i pari që shkroi simfoni që përfshinin vegla muzikore si fagoti dhe tromboni.
Ai bashkoi gjithashtu muzikën vokale dhe instrumentale, në mënyra që nuk ishin bërë kurrë më parë, siç ishte në Simfoninë e 9-të, e cila ishte e një shkalle aq të lartë muzikore dhe ideologjike, sa shumë mendonin se ishte dëshmi se ai kishte “humbur mendjen”.
Në përgjithësi Beethoven shihet si artisti qe e ngriti muzikën instrumentale nga pozita inferiore poshtë letërsisë dhe pikturës, në stadin e formës më të lartë të artit.
Në ditët e sotme muzika e tij ka ndikuar në kulturën jashtë botës së muzikës klasike. Në 1972 ‘Ode to Joy’ nga simfonia e tij e nëntë u votua si melodi për himnin e BE dhe u shfaq edhe në filmin ‘Die Hard’.
Simfonia e shtatë e Beethoven u përdor në filmin ‘Fjala e Mbretit’, gjatë skenës ku Xhorxh VI i drejtohet vendit të tij.
Ai ishte muzikanti i parë në histori që u pagua vetëm për të kompozuar
Beethoven u zhvendos përgjithmonë në Vjenë, Austri, kur ishte 22 vjeç. Ai jetonte i qetë nga paratë përmes komisioneve që merrte, duke botuar punën e tij dhe duke dhënë mësime. Por në vitin 1808, pas një grindjeje të madhe me dikë në një koncert përfitimi, Beethoven u mërzit deri në pikën që nisi të mendojë për të lënë Vjenën.
Për ta mbajtur atë si virtuoz dhe kompozitor rezident në kryeqytetin austriak, një grup fisnikësh u bashkuan së bashku për t’i siguruar atij një pagë vjetore prej 4000 florintash, thjesht për të qëndruar në Vjenë dhe për të kompozuar çfarëdo dhe sa herë që donte.
Beethoven kishte një jetë sentimentale të trazuar
Beethoven nuk ishte domosdoshmërisht një burrë i bukur dhe kjo, e kombinuar me listën e tij të gjatë të sëmundjeve fizike dhe pamjes së lënë pas dore, do të thoshte se ai nuk ishte një mashkull tërheqës për zonjat. Por talenti i tij dhe karakteri i pasionuar e shtynë drejt një numri historish dashurie.
Kontesha Julia Guicciardi, një nga nxënëset e tij të pianos, të cilës kompozitori i kushtoi të ashtuquajturën Sonata e Hënës, e përshkroi atë një herë si “shumë të shëmtuar, por fisnik, të rafinuar në ndjenjën dhe kulturën e tij”.
Beethoven dukej se ishte tërhequr kryesisht nga gratë e paarritshme, që nuk ishin ose të klasës së tij, të tilla si Julia, ose të martuara. Duket se pati edhe një histori me Josephine Brunsvick, e veja e Graf von Dyem, dhe më vonë me vajzën e një prej mjekëve të tij, Therese Malfatti.
Pasi Beethoven vdiq, u gjet një letër drejtuar një femre anonime. Letra mbante titullin ‘Immortal Beloved’ (E dashura e pavdekshme) dhe u gjet në mesin e korrespondencës së tij, por deri më sot biografët vijojnë të përpiqen të zbulojnë misterin se kush ishte kjo grua misterioze. Ka pasur edhe një film të quajtur “E dashura e pavdekshme”, i luajtur nga Gary Oldman, i cili hulumton jetën e Beethoven dhe çështjet e dashurisë, edhe pse saktësia historike mund të jetë pak e dyshimtë.
Një njeri shumë i sëmurë
Përveç shurdhimit gjithnjë në rritje, që mund të shkaktohej nga ndërlikimet nga një sëmundje e fëmijërisë, Beethoven me sa duket vuajti gjithashtu nga një numër i madh sëmundjesh – kolit, reumatizëm, tifoja, absesi, verdhëza dhe hepatiti kronik.
Ai vdiq në shtëpi, gjatë një stuhie, i rrethuar nga miqtë dhe familja. Shkaku më i mundshëm është dështimi i mëlçisë për shkak të hepatitit dhe i përkeqësuar nga dëshira e tij për pijen.
Vjena i rezervoi një varrim të madh
Rreth 20,000 vetë morën pjesë në funeralin e Beethoven në vitin 1827. Edhe pse nuk e kishte takuar kurrë, kompozitori Schubert ishte një nga personat që mbajtën arkivolin e mjeshtrit. Schuberti i ri, që do të vdiste një vit më pas, në 1828, ishte një admirues i madh i Beethoven.
Një monument i muzikantit dhe kompozitorit qëndron në Vjenë dhe lexon thjeshtë ‘Beethoven’.
Pergatiti per Javanews.al
Andi Malasi