Nga Eduard Zaloshnja
“A e pranoni një kryeprokuror të përkohshëm vetëm me votat e shumicës?” Kjo ishte pyetja në një sondazh elektronik që zhvillova në 24 orët e fundit, për llogari të revistës Follow Business Albania. Sondazhi u krye me 2100 të anketuar në shkallë kombëtare. Kampioni u ripeshua, për ta përfaqësuar elektoratin shqiptar sa më mirë, demogrfikisht dhe politikisht. Marzhi i gabimit për këtë sondazh ishte plus/minus 2.4%.
Nga sondazhi rezulton se 40% e të anketuarve e pranojnë një kryeprokuror të përkohshëm vetëm me votat e shumicës parlamentare, ndërsa 40% nuk e pranojnë. Ndërkohë, 20% e të anketuarve janë të pavendosur në opinionin e tyre.
Të përkthyera në numër votuesish, këto rezultate na tregojnë se rreth 840 mijë banorë të Shqipërisë në moshë për votim janë dakord me zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm vetëm me votat e shumicës; 840 mijë nuk janë dakord; 420 mijë janë të pavendosur në opinionin e tyre.
Nga sondazhi rezulton se shumica dërrmuese e atyre që janë dakord, kanë votuar në zgjedhjet e fundit për PS ose PDIU ose PSD, ndërsa shumica dërrmuese e atyre që nuk janë dakord, kanë votuar për PD ose LSI ose PR ose LIBRA ose të tjera parti të vogla. Ndërkohë shumica dërrmuese e atyre që nuk kanë një opinion të përcaktuar, nuk kanë marrë fare pjesë në zgjedhjet e fundit.