Kur kanë kaluar 6 javë nga vdekja e papritur e gazetares 31-vjeçare Adelajda Xhamani, mjekët ligjorë kanë përcaktuar shkakun, në një raport përfundimtar. Sipas mjekëve, shkaku i vdekjes është infarkti kongjestiv në zemër. Kjo ka ardhur për shkak të një sëmundjeje të rrallë, e quajtur kardiomiopati, që prek muskulin e zemrës, duke dëmtuar strukturën apo funksionin e barkusheve dhe sjell dobësimin e zemrës. Sipas mjekëve, kjo ka sjellë mosfunksionimin e zemrës dhe më pas vdekjen e 31- vjeçares.
Në rastin e Adelajda Xhamanit, mjekët ligjorë thonë se mostrajtimi i kësaj sëmundjeje ka sjellë infarkt kongjestiv, që do të thotë dështim i plotë i muskulit të zemrës. Nga ana tjetër, ata dyshojnë se kjo sëmundje mund të jetë gjenetike. Por, nga ana tjetër, për vetë faktin se ajo nuk ishte diagnostikuar më parë, mjekët nuk përjashtojnë mundësinë se kardiomiopatia në këtë rast mund të ketë qenë idiopatike. Në këtë rast shkaqet e fillimit të sëmundjes janë thuajse të pamundura të përcaktohen me saktësi.
PERJASHTIMET
Mjekët ligjorë që kanë kryer autopsinë e 31-vjeçares Adelajda Xhamani, para se të nxirrnin raportin përfundimtar, përjashtuan disa faktorë si shkak të vdekjes së saj. Ata thanë se nuk kishin hasur ndonjë komplikacion që varion nga epilepsia, siç u argumentua nga Policia një ditë pas vdekjes, nga dëshmia e një mikeshe të saj. Nga ana tjetër, ata thanë se nuk kishin konstatuar të ketë pasur shenja dhune, bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, shenja injeksioni apo të përdorimit të alkoolit para vdekjes.
Vetëm pak ditë pas ngjarjes së ndodhur më 29 tetor, burime nga Mjekësia Ligjore thanë dje se Adelajda Xhamani mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e avancimit të ndonjë sëmundjeje për të cilën ajo nuk kishte dijeni. Ky ishte konkluzioni paraprak i Mjekësisë Ligjore, në pritje të përgjigjes së analizave biologjike që do të përdoren për hartimin e raportit përfundimtar që do të hedhë dritë mbi shkakun e saktë të vdekjes së saj.
RAPORTI
Burime nga Mjekësia Ligjore thanë se ishin marrë për analizë pjesë të disa organeve jetësore, por që në ekzaminimin paraprak është përjashtuar mundësia e epilepsisë. Pas daljes së rezultateve të këtyre analizave është hartuar edhe raporti përfundimtar, që konfirmoi dyshimet paraprake të mjekëve ligjorë.
Pra vdekja e 31-vjeçares kishte ardhur nga kardiomiopatia, sëmundje për të cilën ajo nuk kishte pasur dijeni. Për rrjedhojë sëmundja ka avancuar, duke sjellë dëmtimin e strukturës dhe funksionin e barkusheve. Zemra për rrjedhojë është dobësuar dhe për shkak edhe të mostrajtimi mjekësor, edhe për arsye se nuk ishte diagnostikuar, ka ndodhur infarkti kongjestiv. Pra sipas mjekëve ligjorë, ka ndodhur dështimi i plotë i muskulit të zemrës.
VDEKJA
Gazetarja 31-vjeçare Adelajda Xhamani ndërroi jetë papritur në orët e para të mëngjesit të datës 29 tetor të këtij viti. Ajo ndodhej e vetme në apartamentin ku jetonte me qira, në rrugën “Muhamet Deliu”, kur ka nisur të ketë shqetësime. Në orët e para të mëngjesit ajo i ka telefonuar shoqes së saj, duke i kërkuar që të lajmëronte një ambulancë, pasi nuk po mbushej dot me frymë.
“Nuk po mbushem dot me frymë”, mësohet t’i ketë thënë shoqes së saj. Pas kësaj telefonate, shoqja e Adelës ka lajmëruar menjëherë ambulancën, familjarët e saj, por edhe disa miq të përbashkët. Ambulanca ka mbërritur shumë shpejt në adresën e dhënë, por duke qenë se nuk dihej me saktësi apartamenti i Adelës, mjekët kanë pritur derisa miqtë e saj kanë mbërritur aty me një taksi. Të gjithë janë ngjitur bashkë në katin e katërt. Dera është gjetur gjysmë e hapur, pasi në momentin që po fliste në telefon me shoqen e saj, Adela nga frika se gjendja e saj mund të përkeqësohej, i ka thënë se do ta hapte derën.
Ndërsa në momentin që janë futur brenda, ajo është gjetur e shtrirë në korridor. Mjekët nuk kanë konstatuar shenja jete, megjithatë e kanë marrë me ambulancë e janë nisur drejt QSUT-së. Si orë e vdekjes është shënuar 05:10, kohë që përkon me momentin kur mjekët janë futur në apartamentin e saj dhe e kanë konstatuar pa shenja jete./Burimi: Panorama
a.ç