Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, duke folur për raportet Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova duhet të nënshkruajë një traktat paqe me Serbinë.
Pacolli, në një intervistë për “Debat D” në RTV Dukagjini, ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë shumë shpejt.
“Ky dialog do të përfundojë me atë kontratën historike të pajtimit. Në fund do të ketë nënshkrim të kontratës, traktatit të paqes”, tha Pacolli.Ai tha se kjo do të ndodhë pavarësisht faktit asaj nëse do ta njohë ose jo Serbia Kosovën.
“Nuk besoj se Serbia do ta njeh shpejt Kosovën. Neve nuk na intereson se a na njeh neve Serbia apo jo. Ata duhet të mos e pengojnë Kosovën në të ardhmen. Unë besoj se kjo kontratë mund të jetë edhe e dhimbshme për Kosovën”, tha Pacolli.
Ai gjithashtu ka thënë se duhet të ndryshojë përbërja e ekipit dialogues në Bruksel dhe të përcaktohen afatet për përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi. (b.an)