Maxhoranca në Komisionin e Ligjeve ka zhvilluar dje pa praninë e opozitës seancën dëgjimore me 7 kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Deputetët e PD-së dhe LSI-së bënë të ditur se nuk do të merrnin pjesë në seancën dëgjimore, ndërkohë që në mbledhjen e djeshme mori pjesë dhe deputeti i PSD-së, Tom Doshi.
Kandidati Arqile Koça nuk pranoi të jepte komente për punën e paraardhësve, duke e gjykuar si joetike. “Panorama” zbardh debatin pyetje-pergjigje ne komision.
Adnor Shameti: Ju në CV-në tuaj nuk keni bërë Shkollën e Magjistraturës? Ndërkohë, Doktoraturën e keni në proces. Nga pikëpamja formale ligjore legjitimoheni për ta bërë këtë kërkesë për t’u caktuar si Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm, apo jo?
Arqile Koça: Qysh nga viti 2003 unë, në cilësinë e pedagogut në Shkollën e Magjistraturës, kam dhënë mësim në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, dhe me Shkollën e Magjistraturës kam udhëhequr temat e studentëve të Magjistraturës, por në këtë cilësi kam bërë oponencë të temave të tyre. Jam zgjedhur nga bordi i Shkollës së Magjistraturës për t’u dhënë trajnime prokurorëve dhe gjyqtarëve, midis të cilëve ka pasur prokurorë dhe gjyqtarë që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Formimi im akademik nuk është më i vogël, por më i madh sesa formimi i një studenti që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Nëse e shohim në këtë thelb, unë them se e plotësoj këtë kërkesë.
Bledi Çuçi: Në qoftë se do të caktoheshit në rolin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm në bazë të legjislacionit në fuqi, a do keni autoritet mbi dosjet që administrohen nga prokurorët e tjerë?
Arqile Koça: Përgjigjja është e thjeshtë, jo.
Bledi Çuçi: A do të legjitimoheshit të ndiqnit penalisht një ministër apo një deputet?
Arqile Koça: Unë vetë jo, por do të nxisja këdo nga kolegët e mi që ka kompetencë për ta bërë këtë. Unë vetë nuk kam shanse.
Bledi Çuçi: Keni krijuar miqësi me ndonjë politikan apo anëtar të forcave politike? Nëse po, kur ka qenë hera e fundit që keni ngrënë ndonjë darkë? Keni pasur raste ndërhyrjeje në karrierë?
Arqile Koça: Gjatë karrierës sime 28-vjeçare, nuk kam ngrënë asnjëherë ndonjë dreke më ndonjë politikan. Ndërhyrja bëhet në forma dhe mënyra të ndryshme. Unë kam pasur çështje të rëndësishme, siç ka qenë vrasja e deputetit Azem Hajdari apo çështja e Gërdecit. Nuk mund të them që ka ardhur një politikan dhe të më ketë kapur prej xhakete dhe të më thotë bëj këtë apo bëj atë. Nuk kam pasur ndërhyrje./Panorama/a.m.